Monika Kryemadhi, deputete e Partisë së Lirisë dhe bashkëshorte e ish-presidentit – tashmë të arrestuar – Ilir Meta, ka zbërthyer të gjithë akuzat e ngritura nga ana e Prokurorisë së Posaçme SPAK ndaj saj, për akte korruptive dhe ndikim të qëllimshëm në ndryshime ligjore për favorizim.
Pas një shtyrjeje për në orën 13:30 të seancës paraprake, ku çifti Meta-Kryemadhi do të njihen me akuzat dhe me masën e sigurisë, Kryemadhi ka dalë nga ambientet e GJKKO-së për të sqaruar çdo gjë rreth akuzave ndaj saj.
Fillimisht, ajo ka akuzuar trupën gjykuese në rastin e saj, si edhe prokurorët e çështjes, si persona nën ndikimin e kryeministrit Edi Rama.
Përtej kësaj, e quajti të palogjikshëm faktin se palës mbrojtëse i është dhënë vetëm një afat kohor prej tre orësh për t’u njohur me aktet dhe provat.
“Dua të theksoj që kjo godinë nuk është drejtësia e re por departamenti i marrëdhënieve të mashtrimit të Ramës. Sot kuptova që veglat një-përdorimëshe të Ramës dhe grupit të strukturuar kriminal, i pamë në fytyrat e tyre të veshura me toga të zeza. Nuk ka më shpresë për një sistem drejtësia të kapur e manipuluiar”, përmendi Kryemadhi në fjalën e saj.
Më pas, vendosjen e saj në sallë së bashku me Metën, ajo e quajti si një “provokim të hapur ndaj familjes së saj”, pavarësisht se dihet raporti i tyre momental, ku Meta ka deklaruar se janë në proces divorci.
Sipas Kryemadhit, seancat duhet të ishin të veçanta dhe jo të dyja së bashku.
Ajo theksoi se “për të larguar vëmendjen kërkojnë të bëjnë dhe një show mediatike dhe politik, ndoshta dhe emocional. Më vjen keq që emocionet e tyre nuk i kënaqim dot”.
Ndërsa, rreth përplasjeve të forta të Metës me trupën gjykuese, ajo nuk i etiketoi si kërcënime, por si “përkëdhelje”.
“Unë nuk jam besimplotë në SPAK as te drejtësia e Vlahutin. Të gjithë këta të BKH-së a dini kush i ka trajnuar. Burri i Romana Vlahutin. Ai e ka fituar projektin nga BE për trajnimin. Ndiqni paranë. Unë paranë ndoqa ngaqë shkova tek ata. Me lekët e mia i kam blerë. Mos i kam blerë me lekët e Edi Ramës apo të SPAK”, shtoi.
Rreth akuzave konkrete, ajo foli sa i takon një ligji, i cili në akuzën e SPAK, është “bërë me porosi”.
“Në 2014 është një ligj që e ka kërkuar Vali Bizhga, kryeshefe e kabinetit të Ramës, që është nga Qeveria shqiptare për unifikimin e funksionimit të kompanive që merreshin me galeritë e minierave”, shpjegoi fillimisht Kryemadhi.
Më pas, shtoi: Përparim Spahiu kishte propozuar në emër të LSI statusin e minatorit. Ju shihni si sot vijojnë protestojnë ende minatorët. Është bërë mbledhje e komisionit të veprimtarive prodhuese ku unë isha anëtare. Ligji është bërë për unifikimin e rregullave të sigurisë, sigurimeve të minatorëve dhe për disa procedura të tjera.
Ndërsa, rreth akuzave se ka kërkuar një vilë në një zonë të pasur të Tiranës, në këmbim të ligjit, e përgënjeshtroi, duke thënë se vilën në realitet ajo ka pasur ndërmend ta blejë, duke i këmbyer me disa prona të tjera në zotërim të saj.
Teksa, për ish-bashkëshortin e saj, Metën, tha se ky i fundit nuk dinte asgjë rreth rastit.
Një tjetër çështje, të cilën Kryemadhi e ceku, ishte edhe një akuzë lidhur me favorizimin për futjen e një kompanie në tregun e fibrave optike në Shqipëri, si edhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “UNIFI Communication INC” dhe një kompanie telefonike celulare në Shqipëri.
Sipas dosjes së SPAK, rezulton se kompania “UNIFI Communication INC” me drejtor ekzekutiv Adrian Shatkun rezulton se ka kryer 12 pagesa për llogari të kompanisë JPM Strategic Solutions me drejtor ekzekutiv John Moreira”.
Në lidhje me këto akuza, Kryemadhi tha se Shatku është kushëriri i saj. Por, mohoi që Ilir Meta të ketë pasur ndonjëherëë raporte të mira me njerëzit e saj.
“Për fibrën optike. Adrian Shatku është një biznesmen i nderuar shqiptaro-amerikan. Adrian Shatku është kushëriri im. Ka dashur të vijë në Shqipëri sepse biznesi i tij nuk ka lidhje me politikën. E gjithë infrastruktura e shtetit shqiptar nuk ofron atë që duhet. Ka marrë një leje të fibrës optike nga Pollo dhe Berisha, me ligj. Nuk ja ka dhënë Monika Kryemadhi as Ilir Meta”, ravijëzoi Kryemadhi.
Megjithatë, pranoi se e ka prezantuar Shatkun me kryeministrin Rama dhe me ministren e asaj kohe, Milena Harito.