Akti terrorist i sulmit me detonim prej 15 kilogramë eksplozivi që dëmtoi tubim e kanalit Ibër – Lepenci, është sulmi më i organizuar kundër infrastrukturës së shtetit të Kosovës pas Banjskës në shtatorin e vitit të kaluar.
Presidentja Vjosa Osmani, që sipas agjendës së vizitave nga një turne jashtë vendit, pas këtij akti terrorist në infrastrukturën e vendit, ka anuluar vizitën e saj në Brunei.
Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka deklaruar se dyshimet e para për këtë sulm me eksploziv në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit janë bandat kriminale serbe.
Kryeministri ka thënë se ditëve të fundit ka pasur edhe sulme tjera terroriste me granata dore ku është sulmuar komuna e Zveçanit dhe më 26 nëntor edhe stacioni policor në këtë qytet dhe akti i fundit terrorist mbrëmë në kanalin e ujit Ibër-Lepenci nga i cili furnizohen me ujë disa qytetet dhe KEK-u tek i cili uji i këtij kanali shërben për ftohjen e elektranave për prodhimin e energjisë Elektrike.
Pas sulmit me eksploziv në kanalin jetik të ujit Ibër-Lepenci, është takuar herët në mëngjesin e sotëm Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës, i cili për herë të parë ka mobilizuar në terren edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për përforcime në kuadër të forcës shtesë për mbrojtjen e objekteve vitale, antenave, trafostacioneve, liqeneve, kanaleve dhe infrastrukturës me interes për shtetin.
Mobilizimit të FSK-së dhe Policisë së Kosovës i janë bashkuar edhe forcat ndërkombëtare në Kosovës
Qeveria e Kosovës, institucionet dhe ekspertët e sigurisë, aktualisht janë në fazën egrumbullimit të provave dhe në kontaktet e gazetës Telegram News me të gjitha këto institucione, kanë deklaruar se është herët për t’u deklaruar në mënyrë faktike.
Ajo që po ndodh aktualisht është se policia dhe ekspertët e sigurisë kanë filluar aksionin për zbardhjen e rastit dhe cak i hetimeve janë disa lokacione të dyshuara në veri të vendit.
Aktualisht ajo që dihet është se aksioni në kanalin Ibër-Lepenci është sulm terrorist me qëllim të dëmtimit të infrastrukturës vitale të shtetit që shkakton pasoja në furnizimin me ujë të disa qyteteve të Kosovës dhe dëmet në termocentralet e Kosovës.
Deri më tani kanë reaguar ashpër të gjitha ambasadat e aleatëve të Kosovës në Prishtinë, të cilat kanë kërkuar zbulimin e akterëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Ndërkohë që askush nuk e ka marr përgjegjësinë për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenci, Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë drejtuar gishtin kah Serbia si e dyshuar për këtë akt terrorist.
Gazeta ka ftuar të shtunën para dite edhe ekspertë profesional që e kane më së miri të njohur rëndësinë jetike të kanalit Ibër -Lepenci, por ata i kanë deklaruar gazetës se përveç dyshimeve nuk mund të flasin diçka më shumë rreth rastit.
Reagimet e subjekteve politike në Kosovë dhe të analistëve janë në procesin e akuzës ndaj Kryeministrit Kurti të cilit i përgënjeshtrojnë dekratat publike të këtyre ditëve se Qeveria e tij kanë krijuar rend dhe ligj në veri dhe se atje më nuk ka vend për banda dhe krim./Telegram News