Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Krasniqi tha se për ata të cilët po e nisin këtë rrugëtim për herë të parë, qoftë një rrugë e lehtë dhe përplot me te arritura të shkëlqyeshme, shkruan TelegramNews.
Postimi i plotë:
Të dashur nxënës, mësimdhënës e të nderuar prindër,
Urime fillimi i vitit të ri shkollor! Për ju që po e nisni këtë rrugë për herë të parë, qoftë një rrugë e lehtë, e dashur dhe përplot me të arritura të shkëlqyeshme. Pa dyshim, rruga e suksesit në jetë fillon në bankat e shkollës.
Për ju të tjerët që keni filluar më parë, ky vit qoftë më i mirë sesa i kaluari. Tejkalimi i vetvetes nga viti në vit, çdo herë, duhet të jetë synimi i secilit prej jush. Gjithmonë mund të bëheni pak më të mirë e të arrini diçka më shumë.
Juve, të nderuar mësimdhënës, ju uroj një vit të mbarë e të palodhshëm. E admiroj durimin dhe pasionin tuaj për t’u dhënë fëmijëve tanë dije dhe dashuri. E di dhe e besoj se me ju, e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta.
Të dashur prindër, e di që fëmijët ndoshta jo gjithmonë arrijnë sukseset që ne dëshirojmë për ta. Por, më shumë mbështetje sesa kritika, më shumë dashuri, më shumë punë me ta – do t’i shtyjë ata që gjithmonë të bëjnë më të mirën.
Prandaj, duke pasur gjithmonë parasysh interesin e fëmijëve tanë, të gjithë bashkë, pa përjashtim, t’u japim kujdesin dhe trajtimin që e meritojnë gjatë këtij rrugëtimi.
Urime dhe suksese të gjithëve!