Çmimet e tregut të hapur nga lista e barnave esenciale ishin mesatarisht deri në 92% më të larta krahasuar me çmimet e barnave ekuivalente nga kontrata e tenderit të menaxhuar nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa, në tregun e hapur nuk janë gjetur çmime për nëntë produkte që disa prej tyre janë në vlera të larta.
Kështu është bërë e ditur përmes një tryezë diskutimi, në të cilën Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka prezantuar analizën e Tregut mbi Procesin e Prokurimit të Barnave Esenciale në Kosovë.
Berat Abdiu nga UBO Consulting, derisa ka treguar se çfarë përmban raporti, ka theksuar se fokusi i këtij studimi është tek proceset e prokurimit për barnat nga lista esenciale dhe proceset e prokurimit lidhur me infrastrukturën shëndetësore.
“Fokusi i këtij studimi është tek proceset e prokurimit për barnat nga lista esenciale dhe për proceset e prokurimit lidhur me infrastrukturën shëndetësore. Qëllimi kryesor ka qenë një zhvillim i analizës së hulumtimit të tregut me qëllim të ofrimit të një vlere referente për të krahasuar kontratat e përzgjedhura për analizë, kontratat për barnat e listës esenciale dhe projektet infrastrukturës shëndetësore. Analiza nga studimi ka pas për synim të identifikojë shkaqet që ndikojnë në pengesat për furnizim me barna nga lista esenciale dhe keq menaxhimin potencial të fondeve publike nga këto procese”, ka thënë Abdiu.
Ndërsa ka thënë se nga kontratat që janë marrë për analizë janë identifikuar 49 produkte mjekësore, nga të cilat vlera e kontratave të prokurimit ka qenë mbi 3 milionë euro. Ai ka shtuar se pesë nga këto barna përbejnë 66 për qind të vlerës së kontratës apo 2.1 milionë shpenzohen vetëm në pesë prej këtyre barnave nga lista e përgjithshme për 49 produkte.
Abdiu ka theksuar se për këto barna diferenca në treg është shumë e madhe në raport me çmimin e barnave të kontraktuara përmes mekanizmit të prokurimit publik nga MSh-ja.
“Nga kontratat që janë marrë për analizë kemi identifikuar 49 produkte mjekësore, nga këto rezulton vlera e kontratave të prokurimit 3 milionë e 164 mijë euro. Pesë barna nga këto përbejnë 66 për qind të vlerës së kontratës apo 2.1 milionë shpenzohen vetëm në pesë prej këtyre barnave nga lista e përgjithshme prej 49. Në tregun e hapur nuk kemi gjet çmime referente për nëntë produkte, që përfshihen edhe pesë nga këto në vlerë të larta. Këto barna janë për sëmundje të rralla dhe vlera e tyre është shumë e lartë. Për këto barna kemi gjet se diferenca në treg është shumë e madhe në raport me çmimin e barnave të kontraktuara përmes mekanizmit të prokurimit publik nga MSh-ja, d.m.th përgjysmë janë të siguruara nga MSH-ja me çmim përgjysmë më të lirë se e tregut për këtë pjesë. Në anën tjetër për një pjesë të kontratës nuk kemi mund të gjejmë çmim referent në treg”,tha Abdiu.
Në këtë studim është analizuar një kontratë për ndërtimin e një objekti të kujdesit shëndetësor parësor në Mamushë për analizë krahasuese të kostos. Analiza nxjerr në pah se kontrata e përfituar nëpërmjet prokurimit është 21% nën kostot e referencës të marra nga hulumtimi i tregut (çmimet e tregut).
Po ashtu është theksuar gjatë raportit se dallim të konsiderueshme u gjetën midis kategorive të ndryshme të kontratave, si në sektorin e ndërtimit, të instalimeve hidraulike, instalimeve elektrike, sistemet e ngrohjes, ajrosjes e klimatizimit dhe sistemet e gazit medicinal. Ndërsa analiza e kostos zbulon se kontrata demonstron një avantazh në kosto, ajo nuk arrin të trajtojë dhe të paraqes plotësisht në pah se zbatimi i projektit në tërësinë e tij ka devijuar nga kushtet kontraktuale, duke lënë kështu në fakt disa punë të papërfunduara plotësisht.
Kontratat e analizuara kanë qenë gjatë vitit 2022 dhe 2023./KP