Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se skenari i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar, është identik me pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014.
Këtë deklaratë e bëri Konjufca gjatë fjalës së tij në konferencën “Ndikimi i agresionit rus në Ukrainë në gjeopolitikën evropiane”, të Institutit për Studimet e Luftës Hibride “Octopus”.
Më tej kryeparlamentari tha se pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës kanë ndikuar në Kontinentin Evropian në paqe e siguri, në politikë e gjeopolitke, më shumë se sa në luftën e dytë botërore.
Ai ka thënë se as Rusia nuk ka hequr dorë nga bota ruse e as Serbia nuk ka hequr dorë nga bota serbe. Sipas tij, trupat paramilitare serbe të mbështetura nga Serbia e synuan në mënyrë të hapur aneksimin e veriut e Kosovës.
Derisa theksoi se përpjekja për destabilizm në Bosnjë dhe Hercegovinë, refuzimi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe sulmi terrorist në Banjskë tregojnë për qëllimin e vërtet të Serbisë, e që nuk është qëllim normal, është qëllim i federatës ruse.