Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë është dëshmi e unitetit mes dy vendeve përballë sfidave në rajon.
Ai para të pranishmëve tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë bashkë dhe të përfaqësojnë interesat e kombit shqiptar.
“Jemi mbledhur në këtë seancë të përbashkët të kuvendeve tona në fund të këtij viti për ta dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike dhe atyre gjeopolitike, të sigurisë që e shoqërojnë rajonin dhe kontinentin tonë edhe gjatë këtij viti”, tha ai.
Kryekuvendari kosovar përmendi edhe sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, që sipas tij kishte synim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës.
“Mos të harrojmë që ky sulm i rëndë ndaj infrastrukturës sonë kritike të furnizimit me ujë dhe energji vjen një vit pas sulmit tjetër të rëndë që e përjetoi Republika jonë e që ishte sulmin në Banjskë, organizatori dhe mbështetës i këtij sulmi është Radoiçiqi dhe i mbështetur drejtpërdrejt nga presidenti Vuçiq e i cili mbetet ende i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi e cila pothuajse nuk ekziston fare”, tha Konjufca.