Për shumë vjet, shumë të burgosur politikë shqiptar vuajtën në burgjet jugosllave. Por, pavarësisht kësaj, në Kosovë nuk ka ndonjë shenjë në kujtim të atyre që e bën hapin e parë për lirinë e vendit.
Selatin Novosella, në moshën 18-vjeçare për plot 30 ditë u mbajt i burgosur në qeli, në burgun famëkeq të Prishtinës.
Kjo për shkak se në qershorin e vitit 1964, Novosella si anëtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, shkroi disa parulla.
Në to, kërkohej liri për shqiptarët, kundër shtypjeve mizore që po e përjetonin nën Jugosllavi.
“Këtu ku jemi, ka qenë 2.5 metra me 3. Kemi qenë 4 veta. Shtretër nuk kemi pasur, as dyshekë, as mbuloja. Kemi fjetur në tokë. Tash i kanë punuar disa tualete, por për ta kryer nevojën është dashur në një qyp”, tha Novosella – ish-i burgosur politik.
Pas kësaj, Novosella do të burgosej edhe disa herë, përfshirë atë të vitit 1968, si organizator i demonstratave masive në disa qytetet të Kosovës.
E fat të njëjtë me të, patën edhe shumë shqiptarë të tjerë.
Por, sa është numri i të burgosurve politikë shqiptarë, që në burgjet serbe përjetuan torturat me çnjerëzore?
“Unë e kam një shifër, që është diku 14 mijë e 100, ndonëse edhe për këtë shifër thonë se është e vogël, është akoma më shumë. Ne kemi vuajtur shumë, unë mendoj që për opinionin është mirë të dihet që të burgosurit politikë shqiptar, në Kosovë dhe viset e tjera në ish-Jugosllavi, kanë vuajtur mbi 600 shekuj burg, 60 mijë vjet, 21 milionë e 900 ditë burg, i kanë mbajtur të rinjtë e të rejat e popullit shqiptar”, tha Ismet Sylejmani – kryetar nderi i klubit politik “Afrim Zhitia”.
Sylejmani thotë se vuajtjet e kësaj kategorie nuk duhet të harrohen.
Për këtë, ka një propozim.
“Unë kam propozuar që shtatorja të vendoset në sheshin ‘Fontana’ afër Qendrës Studentore. Dhe e kam menduar që të jetë një i burgosur politik i lidhur në pranga edhe në duar edhe në këmbë. Me shtat gjigant, i lodhur, i torturuar, por i pathyeshëm shpirtërisht”, tha ai.
E me idenë e Sylejmanit, po pajtohen edhe në shoqatën e të burgosurve politikë.
Por, këta thonë se vendi më i përshtatshëm, do të ishte para objektit të Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.
“Tu e zbulua një obelisk para ish-ndërtesës së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, unë kujtoj që përcjell dy mesazhe. Më ua bërë me dije që megjithatë është shpaguar kjo sakrificë, në mënyrë ish-komiteti zëvendësohet me një simbolikë dhe e dyta që shumë ngjarje e demonstrata, janë organizuar pikërisht para këtij objekti”, tha Novosella.
Ndryshe, Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, vendi ku shumë të burgosur politikë shqiptarë u torturuan mizorisht, së fundmi u shndërrua në muze. /teve1/