Prokuroria Themelore e Ferizajt ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj F.H.
I njëjti dyshohet për dy vepra penale “Kontrabandimi me migrantë” dhe “Mashtrimi”, shkruan TelegramNews.
I pandehuri që nga data 10 Shtator 2024, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartëcekura.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, një (1) person të dyshuar me iniciale F.H., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “Kontrabadimi me migrantë” nga neni 164 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 të KPRK-së”.
“Ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit Tetor – Nëntor 2021 në Ferizaj, duke i fshehur faktet me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete e ka vënë në lajthim të dëmtuarën N.L., duke i premtuar se do ti siguroj tri viza shengen për të i’a mundësuar hyrjen në shtetin e Zvicrës, në atë mënyrë që ka siguruar tri viza në ambasadën e Rumanisë në Shkup për bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët e saj, për të cilin shërbim ka marrë tre mijë e pesëqind (3500) euro edhe pse e ka ditur se Rumania nuk është pjesë e zonës shengen, me këtë do të kryente veprën penale ‘Mashtrimi’ nga neni 323 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Derisa thuhet se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit të lartëcekur do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore.