Shfrytëzimi i fëmijëve për fushatë politike në Kosovë është një çështje etike dhe ligjore që ka ngjallur reagime të shumta nga shoqëria civile dhe organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve.
Në shumë raste, partitë politike në Kosovë janë kritikuar për përdorimin e imazhit të fëmijëve në mitingje apo për përfshirjen e tyre në ngjarje politike, duke i ekspozuar ndaj atmosferës së polarizuar.
Këto veprime shpesh përceptohen si përpjekje për të fituar simpati nga votuesit përmes përdorimit të fëmijëve.
Ky fenomen bëhet edhe më shqetësues pasi fotografitë dhe videot e aktiviteteve ku përfshihen edhe fëmijët postohen në faqet e politikanëve, të cilat ndiqen nga mijëra ndjekës.
E së fundmi një veprim të tillë e ka bërë edhe kryetari i Lidhjës Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili siç duket tashmë ka nisur fushatën zgjedhore. Ai në faqen e tij zyrtare në Facebook, shpërndau një video nga një prej takimeve të tij të shumta në rajonet e Kosovës, ku përderisa mbante fëmijën në dorë ai premtonte do ta ndërtonte Ministrinë e Familjes.
Derisa ka shpërndarë videon, Abdixhiku ka thënë “Ne besojmë në familje. Kjo është arsyeja pse ne prezantuam programin tonë për të mbuluar të gjitha shpenzimet për vitin e parë për të gjithë fëmijët; në plotni! Sepse besoj që familja kosovare është tu hjekë. S’po mundet me u rritë fëmija në Kosovë”.
Një qasje e tillë në Kosovë nuk është e re edhe në të kaluarën kemi pa që figura të ndryshme politike kanë shfrytëzuar fëmijët për fushatë dhe poena politik.
Megjithatë, kjo praktikë mund të konsiderohet problematike. Përfshirja e fëmijëve në fushata politike mund t’i ekspozojë ata ndaj presioneve të panevojshme dhe t’i përdorë si vegla për përfitime politike. Kjo mund të ketë ndikime psikologjike afatgjata për fëmijët.
Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, e ratifikuar nga Kosova, garanton mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi, përfshirë edhe në kontekste politike. Përdorimi i fëmijëve për të përfituar politikisht është në kundërshtim me këto parime.
Derisa edhe organizatat për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe institucionet përkatëse kanë bërë thirrje të vazhdueshme për ndalimin e këtyre praktikave, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe distancimit të tyre nga konfliktet politike të rriturve.
Kujtojmë që në vitin 2021, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve i bëri apel subjekteve politike për mospërfshirjen e fëmijëve në fushatë elektorale.
Kjo pasi sipas tyre një gjë e tillë përbën shkelje të të drejtave të tyre, shfrytëzim, e në të njëjtën kohë nuk është në interesin më të mirë të fëmijës.
Teksa është theksuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025 dhe sipas kësaj përllogaritje fushata zgjedhore zyrtarisht do të nisë në janar të vitit të ardhëm.
Videon e plotë mund ta shikoni më poshtë/E.Salihu.TelegramNews./