Banorët e fshatit Shipitullë të Komunës së Obiliqit, përsëri kanë protestuar para zyrave të KEK-ut në Prishtinë për shpronësim të tokave.
Banorët e fshatit kërkojnë që bordi i KEK-ut të dalë para tyre dhe para mediave që ta sqarojë këtë problem.
Banori, Shemsi Mjeku ka thënë se në këtë fshat janë shpronësuar 16 shtëpi dhe kanë mbetur vetëm 42.
Mjeku, ka treguar se shtëpitë kanë filluar të dëmtohen.
“Janë hekë 16 shtëpia, kanë mbetur 42 shtëpi më shumë nuk ka. Na kanë marrë rrugën, ujin, ambulanta mshelë, shkollën e kanë mbyllur, arat të gjitha i kanë shpronësu, tokat na kanë mbetur nga 2/3 ari. Kemi mbetë në mëshirën e Zotit, po kërkojmë drejtësi. Kanë filluar shtëpitë të dëmtohen, të çahen. Reagimi i KEK-ut nuk po i intereson askujt”, ka thënë Mjeku.
Ndërsa, banori tjetër, Arsim Mjeku ka shtuar se të premten e kaluar kanë mbajtur një takim me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin.
Në këtë takim sipas Mjekut i cili ka zgjatur për tri orë, ministrja Rizavnolli i u ka thënë atyre se këto procedura gjinden në përfaqësinë e KEK-ut dhe se duhet të ballafaqohen me ta.
“Kërkojmë sqarim pse të njëjtin vendim prej 2004-tës vetëm ia ndërrojnë datat dhe e dërgojnë në komunë e ministri gjëja se janë me ligj. Skënder Bucolli e ka lëshuar një komunikatë para një jave, të njëjtën e ka lëshuar në 2004 para tij dikush me punë. Ne kërkojmë një takim dhe shpronësimin e tërë fshatit. Të premten kemi pasur një takim me Rizvanollin, kemi biseduar tri orë na ka thënë që KEK-u ka këto procedura, ballafaqohuni me KEK”, ka shtuar ai.
Të njëjtit janë vendosur para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, duke pritur një përgjigje nga bordi i saj./KP