Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar se sot në New York është takuar me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.
Ajo tha se në këtë takim me ish-sekretaren amerikane, ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e ish-sekretares dhe presidentit Bill Clinton për Kosovën ndër vite për angazhimin e tyre për paqe dhe siguri duke qëndruar krah popullit të Kosovës në momentet më të vështira.
“Në Kombet e Bashkuara pata kënaqësinë të takoj miken time, Sekretaren Clinton, një mike të madhe të popullit të Kosovës. I shpreha mirënjohjen më të thellë Sekretares Clinton për kontributin dhe mbështetjen e saj dhe Presidentit Clinton ndaj Kosovës ndër vite. Ne jemi përherë falenderues për angazhimin e tyre në paqe, siguri dhe zhvillim të vendit tonë, duke qëndruar përkrah popullit të Kosovës në momentet më të vështira”, shkroi Jahjaga.
“Me Sekretaren Clinton diskutuam edhe për rëndësinë e avancimit të të drejtave të grave dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në pozita të larta udhëheqëse. Përvoja e saj në lidership dhe përkushtimi për fuqizimin e grave dhe vajzave mbeten frymëzim”, theksoi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.