Kryeministri Benjamin Netanyahu po zhvillon takimet më të fundit në një seri takimesh të nivelit të lartë të sigurisë, ndërsa Izraeli vendos se si dhe kur t’i përgjigjet sulmit të fundit të Iranit, raporton televizioni izraelit.
“Përgjigjja e ashpër” e pritshme po koordinohet ngushtë me administratën Biden, thuhet në raportin televiziv, duke theksuar se ekziston mundësia e një bisede telefonike midis Netanyahu dhe presidentit amerikan Joe Biden së shpejti. Gjithashtu thuhet se një përgjigje izraelite pritet “brenda pak ditësh”.
Burimet e ministrisë thonë se Izraeli nuk mund dhe nuk do të lejojë që sulmi iranian i së martës së kaluar, të kalojë pa një përgjigje të rëndësishme izraelite dhe raporti thotë se “shumë opsione” po shqyrtohen.
Izraeli kërkon gjithashtu të ushtrojë presion diplomatik mbi SHBA dhe Perëndimin, për sanksione më të ashpra ndaj Iranit, sipas Channel 12, duke shpjeguar se Izraeli sheh jo vetëm një mundësi ushtarake për të goditur Iranin, por edhe një shans për të inkurajuar vendosjen e sanksioneve nga Perëndimi për një kohë të gjatë.
Raporti citon burime të mbrojtjes që konfirmojnë se SHBA do të mbështesë Izraelin në përgjigjen e tij dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e Izraelit kundër sulmeve të mëtejshme iraniane, dhe se forcat ajrore izraelite ishin të gatshme “për një sërë veprimesh” dhe në pritje të udhëzimeve nga elita politike.