Nga data 1 shkurt ka filluar së zbatuari vendimi për listën zyrtare të çmimeve të barnave.
Inspektorati Farmaceutik po bën monitorimin e vendimit, i cili ka hyrë në fuqi që pesë ditë.
Nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës kanë thënë se sipas informatave të deritanishme barnatorët tashmë kanë nisur të zbatojnë vendimin.
“Inspektorati Farmaceutik vazhdon realizimin e inspektimeve të rregullta në barnatore, me një fokus të veçantë në monitorimin e zbatimit të vendimit të Ministrit për çmimet e barnave, i cili ka hyrë në fuqi më 1 shkurt 2025. Sipas informatave nga Inspektorati Farmaceutik, barnatoret kanë nisur tashmë të zbatojnë këtë vendim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë vazhdojnë të jenë Oda e Farmacistëve të Kosovës dhe Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale.
Oda e Farmacistëve të Kosovës përmes një reagimi publik ka shprehur hapur kundërshtimin me vendimin e Ministrit të Shëndetësisë për listën zyrtare të çmimeve të barnave.
Gjithashtu, OFK ka kërkuar opinion ligjor nga Administrata Tatimore e Kosovës lidhur me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për çmimet e barnave.
OFK ka mirëpritur opinionin ligjor të ATK-së, që sipas tyre konfirmohet se çmimi i produkteve farmaceutike duhet të jetë vlera e hapur e tregut, por jo më pak se çmimi i kostos së prodhimit dhe shpërndarjes.
Në një njoftim OFK theksoi se ky opinion i ATK-së është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të transparencës dhe mbrojtjes së interesave të barnatoreve dhe industrisë farmaceutike në Kosovë.
Po ashtu, Oda kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë dhe organet përkatëse të saj të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të parandaluar dëmtimin e barnatoreve për shkak të stokut të tepruar dhe vendimeve të kundërligjshme që ndodhin në këtë proces.
Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte deklaruar se nga zbatimi i këtij vendimi do të jenë përfitues qytetarët e Kosovës, ku çmimi i barnave do të jetë i njëjtë në secilën barnatore.