Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar në parlamentin gjerman, ku ka folur për Kosovën e rajonin dhe rrugën euro-atlantike.
Hoxhaj, ish-ministër i jashtëm, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka publikuar fjalën e tij në parlamentin gjerman Bundestag, ku ka thënë gjithashtu se perëndimi duhet të mbajë fjalën e dhënë për antarësimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si shtet i barabartë.
“Kosova duhet të përmbush premtimin e dhënë për krijimin e një Kosove multi-etnike ndërmjet konceptit të Athisaarit, e perëndimi duhet të mbajë fjalën e dhënë për antarësimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si shtet i barabartë, pa veto të Serbisë dhe ambicieve të saj rajonale.”, ka thënë Hoxhaj në Bundestag.
Të mbledhur për të shënuar ditëlindjen e Gernot Erler, politikan gjerman, deputet e ministër, dhe për disa vite ishte emisar për Evropë Juglindore, Hoxhaj tha se ai ishte përkrahësi më i madh dhe vendimmarrës i rëndësishëm i njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Në Bundestagin gjerman, nderuam përkrahësin e madh dhe vendimmarrësin e rëndësishëm të njohjes së pavarësisë së Kosovës më 2008, Gernot Erler – politikan gjerman, deputet, ministër dhe për shumë vite ishte emisar për Evropë Juglindore! Duke besuar fuqishëm në lirinë e Kosovës si rrallkush brenda socialdemokratëve gjerman, ishte në mbështetje të pavarësimit të Kosovës dhe më i qartë se çdokush që Gjermania duhet që në ditët e para ta njoh Kosovën, duke u treguar si një vendim fort i drejt atëherë atje dhe sot duke u bërë gurthemel përmbyllës i paqes dhe stabilitetit në rajon!”, ka shkruar Hoxhaj.
“Në fjalën time për nder të ditëlindjes së tij, dhash mendimin tim për Kosovën dhe Ballkanin në kontekstin aktual të politikës gjermane dhe të kërcënimeve gjeopolitike në Evropë dhe në botë! Derisa pritet që lufta në Ukrainë të rizgjojë gjeopolitikisht perëndimin, në Ballkan nuk po shihet një politikë evropiane që mbështetë zgjerimin e BE-së me anëtarësime të reja dhe as anëtarësim në NATO, por ka vetëm një paqartësi dhe status-quo! Si pasojë e mungesës së integrimit në struktura euro-atlantike, Serbia është duke ndjekur një politikë të dezintegrimit dhe të shpërbërjes së rendit liberal dhe pluralist që është ndërtuar në Ballkan pas rënies së Murit të Berlinit, si zbatim i politikës së saj hegjemoniste dhe të politikës së imperializmit të Rusisë në Ballkan dhe Evropë.”, shkruan tutje ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj.
Deputeti i PDK-së, tutje thotë se asnjëherë nuk kishte besuar se Kosova, siç shkroi ai, një shtet i krijuar me mbështetje evropiane dhe amerikane mbi bazat demokratike dhe të konceptit liberal, nuk do të anëtarësohet së paku në Këshill të Evropës për shkak të mungesës së mbështetjes së Berlinit, Parisit dhe Romës.
“Gernot Erler dhe unë jemi takuar e kemi biseduar shpesh, sidomos gjatë negociatave për pavarësinë e Kosovës në kuadër të procesit të Ahtisaarit në vitet 2006/7, kur une si anëtar i delegacionit të Kosovës erdha në Berlin për ta informuar atë! Atëherë, të dy ishim të mllefosur dhe të shqetësuar se si Rusia dhe Kina po e bllokonin anëtarësimin e Kosovës në OKB në vitin 2007. Por, asnjëherë nuk kam besuar se Kosova, një shtet i krijuar me mbështetje evropiane dhe amerikane mbi bazat demokratike dhe të konceptit liberal, nuk do të anëtarësohet së paku në Këshill të Evropës për shkak të mungesës së mbështetjes së Berlinit, Parisit dhe Romës, si është konfirmuar me shkrim zyrtarisht nga këto kryeqytete, në letrën e kancelarit gjerman, presidentit francez dhe kryeministres italiane!”, shkroi ai, të jetë shprehur në parlamentin gjerman.
“Evropianët me të drejtë e kuptojnë mirë që synim i Rusisë ka qenë për të mbajtur larg BE-së dhe NATO-s vendet e Evropës Lindore, por nuk duan ta shohin që, gjithashtu, politikë e Serbisë është që të jetësohet hegjemonia serbe në Ballkan, duke e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe në organizata ndërkombëtare. Rreziku më i madh sot është që Serbia të ketë veto ndaj vendeve fqinje, një zgjatim i politikës që Rusia ndjek ndaj fqinjve të vet. Kjo gjë është jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër vetë politikës perëndimore për një rajon euro-atlantik! Sikurse është duke e bllokuar Serbia Kosovën në anëtarësimet e saj kudo, ndërhyrjet e fundit të saj në Bosnje dhe tensionet mes Malit të Zi dhe Kroacisë, u bënë për të ngadalësuar integrimin e boshnjakëve në struktura euro-atlantike dhe të malazezëve në BE, gjë që në thelb është edhe zotim i politikës ruse ndaj rajonit!”, ka thënë tutje Hoxhaj në Bundestag.
Ai tha se falë angazhimit të Gernot Erler dhe të gjeneratës së tij në politikën gjermane, me mbështetje vendimtare amerikane dhe gjithë-evropiane, sot, pjesa më e madhe e Evropës Lindore është pjesë e BE-së dhe NATO-s, por që, sipas tij, nga anëtarësimi i fundit i Kroacisë në BE dhe të Malit të Zi në NATO, më shumë po shohin një heqje dore nga zgjerimi, sesa një veprim gjeopolitik ku anëtarësimet euro-atlantike do ishin forcim dhe konsolidim i BE-së në Ballkan!
“Siguria, stabiliteti dhe parashikueshmëria janë tri faktorë për të cilat është angazhuar Gjermania në Ballkan, por të trija si asnjëherë më parë nuk janë kërcënuar më shumë, brenda rajonit nga vetë Serbia dhe jashtë rajonit nga vetë Rusia. E para, me ambicie hegjemoniste dhe e dyta me ambicie imperaliste ndaj Evropës!”, ka shkruar Hoxhaj.
“Nëse perëndimi është i qartë për të ngadhënjyer mbi imperalizmin rus që sot përmes agresionit ushtarak synon të mbajë të pushtuar një pjesë të Ukrainës, sot duhet të ndalojë Serbinë që nga jashtë po e kërcënon pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, përmes situatës në veri. E Bosnjën dhe Malin e Zi po e kërcënon nga brenda përmes përçarjes politike dhe etnike.”, ka thënë ai.
Hoxhaj, tutje tha se Serbia synon që ta jetësojë “fatin e saj politik” jashtë kufijve të saj, që historikisht ka shkaktuar tragjedi në Ballkan dhe në vitet e 90′ gjenocid, do rikthim të historisë, e cila është përmbyllë më 1999 me triumfin e Kosovës mbi historinë dhe mbi Serbinë, e me një peizazh të shteteve të pavarura në Ballkan, nga Sllovenia e deri në Kosovë.
“Ka një rrugë të vetme përpara: jo mbyllja e dyerve të Kosovës, por anëtarësim të saj në organizata ndërkombëtare, e mbi të gjitha në NATO, Këshill të Evropës dhe anëtarësimin e saj dhe të vendeve të tjera të rajonit në BE, duke pasur një plan të qartë kohor, sjell qartësi politike dhe siguri rajonale për të gjithë! Kosova duhet të përmbush premtimin e dhënë për krijimin e një Kosove multi-etnike ndërmjet konceptit të Athisaarit, e perëndimi duhet të mbajë fjalën e dhënë për anëtarësimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si shtet i barabartë, pa veto të Serbisë dhe ambicieve të saj rajonale.”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ish-ministri i jashtëm tha se një trend i rrezikshëm është duke u krijuar në Ballkan, “që në vend që sot të ndodhte një forcim dhe konsolidim i modelit evropian e i kulturës politike demokratike, sot po krijohen premisa kudo për modeli i autoritarizmit politik në Ballkan, e kundërta për çka një jetë të tërë është angazhuar Gernot Erler në ëndrrën e tij evropiane për Kosovën dhe rajonin!”.
“Është rrezik për Balkanin që një moment post-modern t’i rikthehet modeleve të veta autoritare të 30’ve. Kësaj duhet t’i themi jo, qartë dhe me politikë të strukturuar sikurse na ka mësuar për dekda, miku im Gernot Erler! Dështimi i demokratizimit të Serbisë nuk duhet të jetë rrugë e shpëtim përmes një mendësie anti-evropiane edhe në Ballkan! Nëse zgjedhjet në vet BE-në sot fitohen me platforma anti-evropiane, ne ende si shpresë e fundit i besojmë Evropës!”, ka thënë ai.