Sot, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës(QKUK), është bërë dorëzim-pranimi i CT-së, 128 shtresore, aparaturë e teknologjisë së fundit, donacion nga projekti për asistencë humanitare, financuar nga Komanda Evropiane e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vlerë rreth 500 mijë euro.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, është shprehur i kënaqur që në emër të ShBA-së ka dhuruar një skaner CT për Klinikën e Radiologjisë.
Hovenier, tha se kjo aparaturë jo vetëm që do të rrisë kapacitetet e Klinikës Emergjente, por edhe do të përmirësojë standardin e kujdesit në Radiologji.
” Jemi të përkushtuar për t’i mbështetur përpjekjet tuaja për të përmirësuar kapacitetet në spitalet e Kosovës, e dëshmuar për vite me radhë. Përmes programit për asistencë humanitare të Komandës Evropiane të SHBA-së, kemi investuar pothuajse 6 milionë dollarë në ShSKUK”, u shpreh ambasadori Hovenier.
Ai theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin e Kosovës, duke shtuar se ky donacion shpërfaq solidaritetin dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet ShBA dhe Kosovës./TelegramNews./