Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë tre arsye pse partia e tij ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve.
Në konferencën e thirrur për medie, Haradinaj tha se vendi duhet të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje për shkak të siç tha ai, dështimeve të njëpasnjëshme të Qeverisë Kurti.
“Ju kam ftuar këtu për tri grupime të dështimeve të Qeverisë së vendit, të cilat janë edhe arsyeja pse AAK e ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve. Së pari, dështimet në marrëdhëniet e jashtme, me aleatët e Kosovës. Grupimi i dytë i dështimeve janë në kapjen e institucioneve të pavarura. Grupimi i tretë ka të bëjë me dështimet ekonomike, mos-investimi dhe mos-rritja e pagave e deri te paaftësia për të ndaluar rritjen enorme të çmimeve. Këto janë arsyet kryesore edhe pse në takimin e djeshëm e propozuam 26 janarin si datë të zgjedhjeve, në mënyrë që Kosovës t’ia shkurtojmë për disa javë këtë gjendje dëshpëruese”, tha Haradinaj.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme presidentja Osmani ka mbajtur takim me krerët opozitarë ku mes tjerash janë përmendur edhe datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në vend./TelegramNews./