Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, është shprehur i bindur në fitoren e PDK-së të dielën.
Para mijëra simpatizantëve të PDK-së, ai ka thënë se pas 9 shkurtit do ta kemi një standard të ri në politikë.
“Kosova mundet ma mirë. Kosova duhet të bëjë më shumë për ta. Pas 9 shkurtit do ta kemi një standard të ri në politikë. Një qeveri të re. Një qeveri që punon dhe që mban fjalën. Prandaj, qysh në muajt e parë të qeverisjes, do t’i rrisim pagat në sektorin publik për 50%. Pensionet bazë do të rriten për 70%. Kategoritë e dala nga lufta, jo vetëm që do të marrin pensione më të larta, por do të kenë të drejtë të punojnë edhe në sektorin privat. Këto rritje do ta forcojnë fuqinë blerëse dhe do ta çojnë përpara ekonominë tonë. Ne do ta reformojmë sistemin e tatimeve, do t’ia lehtësojmë barrën bizneseve dhe do t’u japim grante dhe subvencione që të rriten edhe më shumë”, është shprehur ai.
Ai është zotuar se në qeverinë e tij do të hapen dyer për investitorët e huaj.
“Ne do t’i hapim dyert për investitorët, duke sjellë miliarda euro investime në miniera, energji dhe industri. Do të ndërtojmë infrastrukturë të re, rrugë moderne dhe një hekurudhë elektrike. Por, pa arsim dhe shëndetësi të fortë, asnjë shtet nuk mund të zhvillohet. Ne do ta reformojmë sistemin arsimor, duke e bërë atë të përshtatshëm me tregun e shekullit 21”, ka thënë Hamza.