Në kuadër të takimeve që po zhvillon në Strasburg, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Theodoros Roussopoulos.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua rreth finalizimit të procesit të anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Zëvendëskryeministrja Gërvalla e shoqëruar edhe nga Nënkryetarja e Kuvendit të të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe Ambasadori Lulzim Hiseni shprehën mirënjohjen e thellë për rolin dhe mbështetjen e Presidentit në sigurimin e një procesi të drejtë dhe meritokratik brenda PACE. Ajo më tej theksoi vlerësimin e madh të Kosovës për punën e përkushtuar të PACE dhe rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Kosovës për të përmbushur të gjitha detyrimet pas anëtarësimit në këtë organizatë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Derisa Gërvalla nënvizoi rolin thelbësor të Presidentit të PACE në bashkëpunimin me Komitetin e Ministrave për të siguruar që anëtarësimi i Kosovës në KiE të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe në përputhje të plotë me opinionin e PACE.