Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, do të përfaqësojë Kosovën në seancën e nesërme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Gjatë kësaj seance, Ministrja Gërvalla do të shpalosë arritjet e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë procesin e demokratizimit, zhvillimin ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe situatën aktuale në komunat veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Tutje në njoftim thuhet se Gërvalla do të flasë edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe sfidat që ato paraqesin për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet të mërkurën, më 30 tetor, duke filluar nga ora 16:00 sipas orës lokale të Kosovës.