Mandatin e saj në krye të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz e shoqëroi me huçje e gafa të shpeshta.
Raportimin e mediave për këto gabime, ajo e shihte si kompliment për punën e saj.
E ngatërrimi i flamujve dhe personaliteteve të cilave iu shkoi në vizitë, për numrin tre të qeverisë Kurti, ishin gabime teknike dhe të parëndësishme.
Por, Gërvalla nuk iu shpëtoi lehtë të gjitha gafave, disa huçje të cilat i bëri në fillim të mandatit të saj e çuan në bankën e të akuzuarve, raporton KIKS Kosova.
Pasi mori postin e ministres, në mars të 2022-ës, Gërvalla deklaroi në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit se ka 185 mijë e 334 euro pasuri.
E 7 muaj më vonë, në tetor të 2022-ës, Prokuroria Themelore në Prishtinë nisi hetimet ndaj saj dhe më 31 janar të 2023, ngriti aktakuzë për veprën penale “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë”.
Ministrja e Punëve të Jashtme akuzohej se nuk ka deklaruar se posedon biznesin ““ALBLINGUA UG” në Gjermani, nuk ka deklaruar se është drejtoreshë e fondacionit “Gërvalla” në Kosovë dhe nuk ka deklaruar as pasurinë e burrit e të fëmijëve të saj.
Edhe para gjykatës, ministrja ishte arsyetuar se këto ishin disa lëshime.
Dy vjet më vonë, më 19 nëntor të 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ia fali besimin Gërvallës dhe e shpalli atë të pafajshme, duke e hedhur poshtë aktakuzën për raportim të rremë të pasurisë.
Sipas gjyqtarit të rastit, Dibran Jusufit, këto veprime të Gërvallës nuk janë vepër penale.
Në vitin kur u lirua nga akuza, Gërvalla deklaroi një pasuri të dyfishtë krahasuar me çka raportoi në vitin kur iu ngrit aktakuza.
Në vitin 2024, pasuria e saj ishte 48.59 për qind më e lartë se në vitin 2021. Atë vit, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Gërvalla deklaroi se posedon pasuri në vlerë të 360 mijë e 495 eurove.