Nga 1 tetori, ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ua përgatisin ushqimin kuzhinierët e Qendrave Korrektuese dhe Studentore. Kjo gjendje erdhi pasi, një ditë më herët ka përfunduar marrëveshja në mes FSK-së dhe kompanisë së kontraktuar. Ish ushtaraku, Ismet Ibishi thotë se kjo gjendje është e pafalshme dhe se përgjegjësit duhet të dënohen. Ai thotë se mund të ketë edhe helmim të mijëra ushtarëve kosovarë.
Ushqimin për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës e kanë përgatitur kuzhinierët e Qendrave Korrektuese dhe Qendrës Studentore.
Punëtorët e këtyre dy institucioneve po punojnë për FSK-në pasi marrëveshja në mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kompanisë së kontraktuar ka skaduar më 30 shtator.
Sipas teve1, të martën në kazermën “Adem Jashari” në kryeqytet atyre iu servua gjella, oriz, mish pule e supë.
Detaje rreth marrëveshjes dhe ushqimit në hollësi nuk kanë dhënë Ministria e Mbrojtjes. Por ata iu drejtuan pyetjeve vetëm me një komunikatë.
“Të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër. Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional. Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kamotshëm”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Por, kjo situatë është e pafalshme për ish ushtarakun e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ismet Ibishin.
Madje Ibishi është kundër që ushqimi i ushtarëve të bëhet me kompani jashtë institucionit.
Sipas tij, kjo gjendje mund të dërgojë në helmimin e mijëra ushtarëve.
Pa përgjigje të martën kanë qenë edhe drejtuesit e Qendrës Studentore.