Fitorja e Vangjel Tavos në Himarë duket se nuk do të pranohet lehtë nga opozita. “Fitoi terrori”- ka qenë komenti i vetëm i shoqatës OMONIA për mediat greke duke dhënë sinjalet e para për kundërshtimin e rezultatit.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama teksa vlerësoi rezultatin theksoi se do të vijojë puna për zhvillimin e turizmit atje.
Mbajtja e bashkisë nga socialistët nuk i ka dhënë fund konflikteve politike mes palëve si në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, përkundrazi fitorja e Tavos duket se ka ndezur më tepër gjakrat.
Shoqata “Omonia” për mediat greke e ka komentuar rezultatin me vetëm një fjali: “fitore të terrorizmit në Himarë”.
Qëndrim ky që pason edhe kontestimet e një dite më parë për shtim të numrit të votuesve dhe heqjen e së drejtës së votës mbi 6000 persona të cilëve u kishte skaduar karta e identitetit.
Ndërkohë kryeministri Rama ka zgjedhur ta komentojë fitoren e Tavos përmes një postimi në rrjetet sociale.
Teksa shkruan emrin e kryebashkiakut të ri në të dyja gjuhët si atë greke edhe shqipe, thotë se do të vijojë puna për ta kthyer Himarën në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut
Por për demokratët fitorja e socialistëve nuk është asgjë më shumë se sa një grabitje e radhës nën dirigjimin e Edi Ramës.
“Edvin Gjipea pasi rrëmbeu me dhunë terror burgim politik mandatin e Fredi Belerit në Himarë kreu dje grabitjen e tyre të mandatit me kukullën e tij Vangjel Tavo. Me qëllim grabitjen e mandatit, Edvin Gjipea solli në listat e votimit në Himarë 360 votues nga Dropulli, Saranda dhe Tirana dhe qindra të tjerëve iu ndryshoi qendrat e votimit. Të gjitha këto ndërhyrje të shtetit kriminal elektoral, manipulime me listat e zgjedhësve dhe përjashtimi i 6153 qytetarëve nga votimi dëshmojnë se mandati i Tavos qëndron mbi krimin monstruoz elektoral.”, u shpreh kryedemokrati Sali Berisha në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.
Vangjel Tavo u shpall kryetar i bashkisë së Himarës pas arrestimeve të të dy kandidatëve të zgjedhjeve të 14 majit ë viti të kaluar. Jorgo Goro dhe Fredi Beleri ndodhen në qeli nën akuzën e korrupsionit në forma të ndryshme.