Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë lëshuar sallën në seancën e sotme të Kuvendit Komunal në Prishtinë, pas nisjes së diskutimit për Planin Zhvillimor 2024-2031.
Shefi i asamblistëve të PDK-së, Leotrim Retkoceri ka thënë se ky plan është jo ligjor dhe se nuk është në përputhje me standardet.
“Jemi duke folur për një dokument qe ka një mori shkeljesh procedurale dhe ligjore. Plani Zhvillimor Komunal është bërë pa analizë paraprake. Vijat ndërtimore pa analizë, hartat ekzistuese nuk janë më përputhje me standardet vendore dhe urbane. Prandaj, ne si grup i këshilltarëve qëndrojmë kundër këtij plani te paligjshëm”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq VV e ka shprehur kundërshtimin ndaj planit edhe me konferencë për media para mbledhjes, duke e konsideruar si të dëmshëm.
“Kjo qeverisje e ka pasur kohën e mjaftueshme për ta bërë një plan të mirëfilltë, por është dashur te merret me kontrata të paligjshme. Ministria e ka kundërshtuar një plan të tillë. Duhet t’ia bëjmë me dije LDK-së që jo çdo gjë blihet me pare, sepse ka parime dhe qëndrime në funksion të qytetarëve. Qytetarët nuk ia kanë borxh një plan kundërligjor”, ka deklaruar shefi i asamblistëve të VV-së, Gzim Sveçla.
Ndërkaq Jeta Rafuna nga partia inicuese, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar votimin e tij për të kaluar pastaj në diskutim publik. Në mungesë kuorumi, seanca ka dështuar diskutimin, edhe pse asamblistët prezentë kërkuan vazhdimin më tutje./rtk