Me rastin e deklaratës së miratuar në “Kuvendin Gjithë-Serbe” në Beograd, Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi se disa nga dispozitat në atë deklaratë janë një vazhdim i përpjekjeve të Republika Srpska për të shkelur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe për të destabilizuar Bosnjë-Hercegovinën dhe rajonin.
Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian në të cilin bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore çojnë në paqe, siguri dhe prosperitet më të madh për të gjithë.
“Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë në rajon që t’i përdorin më mirë takimet e tyre për të nxitur stabilitetin dhe pajtimin rajonal. Siç e kemi bërë të qartë vazhdimisht, ne mbështesim fuqishëm sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin shumë-etnik të Bosnje-Hercegovinës, pjesë e së cilës është Republika Srpska. Disa nga dispozitat në deklaratë janë një vazhdim i përpjekjeve të Republika Srpska për të shkelur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe për të destabilizuar BiH dhe rajonin,” thekson deklarata.
Shtetet e Bashkuara e njohin Kosovën si një shtet sovran, të pavarur, siç ka bërë që nga viti 2008.
Qeveritë e Serbisë dhe Republika Srpska miratuan një deklaratë me 49 konkluzione në “Kuvendin gjithë-serb”, i cili, ndër të tjera, pohon se populli serb përfaqëson një “entitet të vetëm”, pohon se Marrëveshja e Dejtonit është “shkelur në mënyrë të përhershme dhe të konsiderueshme” dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë që të kthehen në respektin e saj. Gjithashtu theksohet se territori i Republikës Sërbska nuk mund të tjetërsohet jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të asaj njësie të BiH-së.
“Kuvendi gjithë-serb beson se Republika e Srpska mund, në masën që e konsideron të përshtatshme, të aktivizojë të gjitha kompetencat që parashikohen si kompetenca të njësive sipas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit,” shton deklarata./telegrami.com