Sot është raportuar për stuhi në disa komuna të Kosovës. Zonat e prekura me reshje më të mëdha shiu dhe breshër përfshijnë Pejën, Podujevën, Skenderajn, dhe Vushtrrinë.
Erëra të fuqishme dhe reshje shiu kanë përfshirë disa qytete të tjera në vend. Ky ndryshim i pamjes së motit ndodh pas disa ditëve me temperatura të larta.
Stuhi me erëra të forta dhe shi të rrëmbyeshëm ka shkaktuar dëme materiale në disa zona. Në Skenderaj, një objekt banesor pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është prekur, por nuk ka pasur lëndime personash. Autoritetet lokale dhe policia janë në gatishmëri për të reaguar ndaj situatave emergjente.
Në Prishtinë, erërat e fuqishme kanë shkaktuar rënien e çatisë së një objekti banesor në lagjen “Pejton”, por nuk ka raportime për lëndime personash. Policët dhe ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar situatën.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se situata hidrometeorologjike ende nuk është e qetë, dhe priten reshje shiu vende-vende me intensitet të lartë.