Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh Ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia do t’i vazhdojë projektet e përbashkëta me Kinën, si dhe bashkëpunimin në luftim të krimit transnacional.
Duke folur në një Forum Global për Bashkëpunim në fushën e sigurisë publike, të mbajtur në Lianjungang, Daçiq ka thënë se Serbia është duke punuar për të përmirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për krijim të një ambienti të sigurt për qytetarët dhe çështjet ekonomike.
“Serbia dhe Kina janë të lidhura nga besimi i ndërsjellë në çështjet me interes të lartë strategjik për të dyja vendet”, ka thënë Daçiq.
Qeveria e Serbisë ka cituar Daçiqin të ketë thënë se konferenca në Kinë është sinjal se Kina është e gatshme të marrë përsipër rolin e njërës prej lidereve botërore në fushën e sigurisë.
“Ne jemi të vendosur për të kontribuuar plotësisht në stabilitetin e rajonit dhe në botë. Ne duam të jemi pjesë e zgjidhjes dhe të marrim pjesë në solidaritet”.
Përforcimi i lidhjeve Serbi-Kinë me ardhjen e Vuçiqit në pushtet
Serbia i ka forcuar lidhjet me Kinën prej ngjitjes në pushtet të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti kinez, Xi Jinping, e ka vizituar Beogradin në maj, në 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Ambasadën kineze në Beograd, duke shënuar kështu vizitën e dytë në 10 vjet.
Kina dhe Serbia, e cila është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian më shumë se një dekadë, kanë nënshkruar deklaratë për partneritet strategjik mes të dyja vendeve më 2016.
Shtatë vjet më vonë, Pekini dhe Beogradi kanë nënshkruar marrëveshje për tregti të lirë.
Në vjetët e fundit, Kina ka kryer një mori investimesh ne Serbi.
Përveç tjerash, Kina e ka ndërtuar edhe urën Pupin në Beograd, në kuadër të një autostrade ndërkombëtare, si dhe e ka rindërtuar një termocentral në Serbi./rel