Në mbledhjen e dy kabineteve qeveritare, asaj të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Kurti theksoi qysh në hyrje të fjalës së tij, se me shtetin fqinj s’kanë mosmarrëveshje, dhe se janë miq e partnerë.
Kreu i qeverisë së Kosovës, theksoi se ky takim sot, ka rëndësinë pasi sot është edhe 15 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
“Më lejoni të filloj këtë takim duke theksuar një pikë të rëndësishme: Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje. Kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë, të lidhur jo vetëm përmes tregtisë, që është çdoherë në rritje, por edhe përmes lidhjeve mes familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”.
Ai theksoi se deri tani mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume, ndërsa sot në këtë takim pritet që të nënshkruhem edhe dy memorandume dhe një protokoll në fushat e energjisë, arsim dhe në lehtësimin e lëvizjes së lirë.
“Takimi i sotëm ka edhe një rëndësi simbolike, pasi që përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Gjatë këtyre viteve, kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume, të cilat na kanë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin, por ajo ku duhet të theksojmë më shumë, është zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë”.
“Sot këtë progres do ta avancojmë tutje duke nënshkruar edhe dy memorandume dhe një protokoll në fusha të rëndësishme sikurse: energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes të lirë”, tha kryeministri Kurti.
“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona reflektohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e cila arriti mbi 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje e jashtëzakonshme prej 52% krahasuar me vitin 2019, ku qëndronte tek 284 milionë euro dhe, gjithashtu është rritur edhe shkëmbimi tregtar në kuptimin e eksportit nga Kosova në Maqedoni të Veriut, nga 44 milionë në vitin e parë parapandemik 2019, në 121 milionë në vitin që shkoi 2023, rritje për 175 për qind”, tha tutje Kurti.