Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se kanë mbajtur sot Kuvendin e degës së partisë në Istog prej ku edhe kanë zgjedhur kryetar të degës, Ukë Blakajn.
Blakaj ka zëvendësuar në këtë pozitë deputetin Bekë Berisha dhe në të njëjtën kohë është nominuar edhe kandidat për kryetar të Komunës për zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Rezultat i këtij kuvendi, është zgjedhja e kryetarit të ri të degës së Istogut, z. Ukë Blakaj, një afarist i suksesshëm nga diaspora. Këtë detyrë deri sot me shumë sukses e kreu Bekë Berisha, aktualisht deputet, i cili angazhimin e tij për vendin do ta vazhdojë nga pozicione të tjera partiake dhe parlamentare”, tha Haradinaj.
Haradinaj në njoftim ka thënë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit me AAK-në në Qeveri, Istogu do të bëhet pikënisje e Autostradës së Dukagjinit.
“Pas 9 shkurtit, me Aleancën në qeveri, Istogu do të shndërrohet në pikënisjen e Autostradës së Dukagjinit, një projekt madhështor që do ta lidhë me Prizrenin. Kjo do të hapë mundësi të reja zhvillimi për të gjithë rajonin”, shtoi Haradinaj. /TelegramNews/