Forcat policore gjatë një kontrolli në Ferizaj kanë gjetur një granatë dore në një kasafortë brenda një kompanie afariste.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli për Telegram News, i cili tha se lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve.
Sipas burimeve mbrenda redaksisë, kompania e cila u bastis nga Policia e Kosovës në të cilën u gjet granatë dore është “Arditi Tours”, në Ferizaj.
Ndërsa sipas raportit 24 orësh të policisë, bëhet e ditur se gjatë kontrollit janë gjetur edhe 40 fishekë.
“Raportohet se gjatë kontrollit në një kasafortë është gjetur një granatë dore. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë. Në vendin e ngjarjes ka dalur njësiti për deminim e policisë që e kanë tërhequr granatën. Lidhur me rastin janë kryer bastisje në gjashtë lokacione ku në njërin prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë 40 fishekë. Me vendim të prokurorit njëri prej të dyshuarve është liruar, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë. Policët e rendit dhe hetuesit e stacionit menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë arritur të gjejnë granatën e dorës dhe kanë siguruar vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia e Deminimit të Policisë, të cilët e kanë tërhequr granatën e dorës të pa shpërthyer. Të gjitha veprimet policore janë udhëhequr nga prokurori i shtetit dhe me vendim të tij janë bastisur edhe disa lokacione, ku në një lokacion tjetër është gjetur edhe një armë zjarri ( pistoletë ) me disa fishekë”, thuhet në raportin policor./TelegramNews./