Është arrestuar kameramani i “Betimi për Drejtësi” Arianit Tahiri.
Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, Agjencioni i Gazetarëve të Kosovës bëri të ditur se Tahiri ka qenë i shoqëruar me një gazetare duke realizuar një hulumtim për keqpërdorim të detyrës zyrtare të disa prokurorëve.
Tutje në njoftim thuhet se Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe kameramani është mbajtur dhunshëm deri sa ka arritur Policia.
Komunikata e plotë:
Arrestohet dhe shoqërohet në Polici kameramani i “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është alarmuar me arrestimin dhe shoqërimin në Polici të kameramanit të medias “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri.
Tahiri ka qenë i shoqëruar bashkë me gazetaren, Alberta Hashani, duke realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtar të disa prokurorëve.
Tahiri ka qenë duke xhiruar në një lokal publik kur i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe së paku një prokuror që ka qenë aty. Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe derisa ka arritur policia, kameramani Tahiri është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët, duke ia privuar lirinë kundërligjshëm. Pas arritjes së Policisë në lokal, zyrtarët policorë ia kanë konfiskuar kameramanit edhe telefonin si mjet i punës, gjë që ndalohet me ligj dhe e kanë shoqëruar në Stacionin Policor për deklaratë.
AGK-ja, e dënon fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës, kërkon lirimin e menjëhershëm të Tahirit, lirimin e mjeteve të punës si dhe dhënien e sqarimeve publikisht për incidentin./Telegramnews.com