Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se raketat anti-tank “Javelin” të cilat janë porositur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të arrijnë në këtë vit, por prek 2025 e tutje.
Maqedonci ka deklaruar se “janë në diskutime për ardhjen e sistemeve në kohën e duhur.
Maqedonci ka thënë se Kosova e ka paguar këstin e parë për blerjen e anti-tankëve “Javelin” në muajin mars të këtij viti.
“Jemi duke vazhduar aspektin e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga kontrata për Javelin, kemi ekzekutuar pagesën e parë në muajin mars të këtij viti, deri në fund të këtij viti, do ta ekzekutojmë edhe këstin e dytë për blerjen e sistemeve Javelin. Jemi në diskutime për ardhjen e sistemeve Javelin në kohën e duhur. Edhe tash në vizitën e fundit në ShBA, gjeneral Jashari, komandanti i FSK-së, ka ngritur çështjen e sistemeve Javelin, normalisht që këtij viti i kanë mbetur edhe përafërsisht dy muaj, dhe nuk besoj që do t’i kthemi gjatë kësaj periudhe dy mujore.”, ka deklaruar ai në “Dpt te Fidani”.
Ministri Maqedonci tha se sistemet do të jenë në Kosovë “prej vitit 2025 e tutje”.
“Besoj që do t’i kemi shumë shpejt. Ideja është që është t’i kemi në kohën kur na nevojiten për validim dhe certifikim të njësiteve tona, viti 2025 e tutje është periudhë kur do të kemi nevojë për to. Nuk po e them saktësisht në vitin 2025, por prej vitit 2025 e tutje gjithsesi do ta kemi”.
Nw fillim tw kwtij viti Departamenti Amerikan i Shtetit e ka miratuar një shitje të mundshme të 246 raketave Javelin në Kosovë për një vlerë prej 75 milionë dollarësh, tha Pentagoni.
Kontraktorët kryesorë do të jenë Javelin Joint Venture ndërmjet Lockheed Martin dhe Raytheon Missiles and Defense, tha Pentagoni.
Lajmin se Kosova ka bërë kërkesë për të blerë raketa anti-tanke “Javelin” nga SHBA-ja, ekskluzivisht për gazetën online Reporteri.net e pati konfirmuar edhe Departamenti amerikan i Shtetit.
Nga DASH e konfirmuan nw janarw se Kosova kishte bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Kjo u konfirmua nga një zëdhënës i DASH-it derisa u theksua mbështetja për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.
DASH-i po ashtu tha për Gazetën Online Reporteri.net se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.
Sipas DASH-it, shitja e këtyre armëve mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.
“SHBA-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”, thuhej në përgjigjen e DASH-it.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur zhgënjim të madh lajmin për kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave, duke shtuar se Serbia, së bashku me SHBA-në, do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.
“Për ne, është shumë e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe që Serbia të vazhdojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan”, tha presidenti serb.
Raketa “Javelin” prodhohet që nga viti 1994 dhe çdo herë është përmirësuar. Ushtria amerikane e përdori për herë të parë këtë raketë në Irak dhe Afganistan më 2003.
Ajo u bë e njohur në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina i ka përdorur gjerësisht këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse. Përdoret edhe për shkatërrimin e tankeve.
E nisja e procedurave pwr blerjen e “Javelin” ngjalli nw Kosovwn garwn pwr marrjen e meritave pwr blerjen e tyre.
Drejtori i Informimit në AAK, Lulëzim Blaka, atw kohw publikoi njw pjesw tw letrws së 26 prillit 2019, që atë kohë ish Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i kishte dërguar ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe u.d. të Sekretarit të Mbrojtjes në SHBA.
Sipas Blakajt, letra sqaron planin afatshkurtër dhe afatmesëm të armatimit, që përfshin edhe Javelin, për periudhën 2 deri 4 vjeçare (2021 – 2023).
“Armatimi anti-tank, nuk është përgatitje për luftë, apo vendim i momentit, siç disa media (kryesisht nga Tirana), dhe teoricientë qesharak konspiracioni po e pretendojnë.
Nuk është as material për t’u krekosur deputetët e VV-së e as ata minoritarë.