Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, do të vazhdojë të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë dhe ditën në vijim.
Sipas AMMK temperaturat e larta, përveç ndikimeve negative në shëndetin e njeriut shtojnë dukshëm mundësinë e përhapjes së zjarreve nëpër pyje, përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare.
“Me qëllim të parandalimit të paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre, MMPHI/AMMK përmes Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Drejtorisë për Administrim e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ka shtuar vigjilencën, gatishmërinë, kontrollin dhe monitorimin e territorit të Parqeve”, thuhet në njoftim.
AMMK thekson se për të menaxhuar këtë situatë në mënyrë më efikase, është shtuar edhe niveli i bashkëpunimit me të gjitha organet relevante.
“Me këtë rast apelojmë tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parqeve”, thuhet tutje në njoftim.
AMMK kërkon nga të gjithë, që në rast se shihni ndonjë ndezje eventuale të zjarrit në Parqe Kombëtare ta lajmëroni në numrat e kontaktit në drejtoritë përkatëse.