Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka reaguar ashpër rreth vendimit të djeshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për të mos e certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ai nëpërmjet një reagimi në Facebook, ka kërkuar nga KQZ-ja të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore, e jo të interesave politike
“I bëj thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore dhe jo të interesave politike”, ka shkruar ai.
Ambasadori britanik ka thënë se pret gjithashtu që KQZ-ja dhe të gjitha anëtarët e saj ta marrin në konsideratë kërkesën e tij.
“Ne presim që KQZ-ja dhe të gjithë anëtarët e saj të marrin në konsideratë certifikimin e Listës Serbe sipas zbatimit gjithëpërfshirës, transparent dhe të fuqishëm të rregulloreve përkatëse”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi të hënën Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke nxitur reagime të faktorit ndërkombëtar.
SHBA-ja u shpreh thellësisht e shqetësuar me këtë vendim.
Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane ka thënë për gazetën online Reporteri.net se ky veprim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të dëmtojë zgjedhjet e lira.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.”, ka thënë ai për gazetën online Reporteri.net.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet.
“Ndaj të njëjtat shqetësime me BE’në dhe SHBA’në lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është esencial. Procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në platformën “X”.
Ndërkaq Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim me Evropë (OSBE) ka thënë se procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka luajtur një rol kyç në nxitjen e demokracisë dhe lirive politike në Kosovë për dekada, me mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së. Misioni vëren me shqetësim se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot nuk e ka certifikuar Listën Serbe”, është thënë në reagimin e OSBE-së.
“Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike. Ne i bëjmë thirrje KQZ-së që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe të sigurojë që hapat e mëvonshëm të jenë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet demokratike”, thuhet tutje në reagim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi të hënën Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Për certifikimin e saj votuan dy anëtarë të Komisionit, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.