Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, gjatë ditës së sotme(e marte) në Tetovë ka pritur ambasadorin e Italisë të akredituar në Shkup, Andrea Silvestri.
Lideri i BDI-së dhe Ambasadori Silvestri kanë bashkëbiseduar për Marrëveshjen e Ohrit, zgjedhjet, reformat dhe sundimin e ligjit si dhe integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut(RMV).
Kryetari Ahmeti ka theksuar se BDI dhe Fronti Europian ngadhënjyen në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, por ky vullnet i qytetarëve u injorua nga mandatari padrejtësisht.
“Marrëveshja e Ohrit është garantues i paqes, sigurisë, stabilitetit dhe i marrëdhënieve ndëretnike në vend. Cënimi i legjitimitetit zgjedhor, ndërhyrja tendencioze ndaj gjuhës shqipe, etnisë dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ndikon drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e vendit. Marrëveshja e Ohrit është e garantuar nga BE dhe SHBA, ndërsa pjesë e zbatimit kanë qenë edhe NATO dhe OSBE. Edhe largimi nga perspektiva europiane po tensionon qytetarët dhe po rëndon situatën politike në vend”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Dialogu politik nëpërmjet të respektimit të legjitimitetit zgjedhor të përfaqësuesve legjitim të komuniteteve etnike duhet të rivendoset me zgjedhjet e përbashkëta parlamentare dhe lokale në tetor të vitit 2025.