Në një postim në rrjetin social Facebook, Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Agim Musliu, ka reaguar pas publikimit të dytë të bisedës ndërmjet Bedri Shabanit të arrestuar si i dyshuar për spiunazh dhe oficerit të BIA-s serbe, Srdjan Rosiq.
Agim Musliu ka bërë thirrje që të ndalet kjo tradhti kombëtare, derisa ka shtuar se të gjithë ata që janë të tillë nuk kanë shpëtim, por vetëm vonim.
“Të gjithë ata që janë të tillë, nuk kanë shpëtim, vetëm vonim! Prandaj, ndaleni këtë tradhti kombëtare! Është tejet neveritëse ta dëgjosh një shqiptar kështu! Distancohuni nga të tillët! Bëjeni publikisht këtë!”, ka shkruar Musliu.
Musliu tutje ka kërkuar nga organet e sigurisë dhe drejtësisë që të mos i neglizhojnë këto raste.
“Organeve të sigurisë dhe të drejtësisë: punoni më shumë dhe mos i neglizhoni këto! Këta njerëz janë më të rrezikshëm sesa terroristët”, është shprehur Musliu.