Para disa muajve Komuna e Prishtinës lidhi kontratën trevjeçare 12 milionë euro me një konzorcium të quajtur “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” për konsulta dhe shërbime arkitektonike të kryeqytetit.
Bartëse e konzorciumit është kompania e arkitektit Astrit Nixha, “ANARCH” SH.P.K, ndërsa anëtare e konzorciumit është edhe kompania Ardi CC L.L.C.
Bazuar në ofertën e tenderit të realizuat nga Komuna e Prishtinës dhe aty shihet se kompania e Nixhës nuk i ka plotësuar kriteret teknike të kërkuara në dosjen e tenderit. Madje ajo ishte bashkëpunëtore në një projekt me kompaninë e kryetarit Përparim Rama, “4M group”.
Në qershor të vitit 2023, për Komunën e Prishtinës nënshkroi Përparim Rama dhe menaxheri i prokurimit Visar Shehu.
Prej vitit të kaluar është bërë valide edhe kontrata “Konsulencë për themelimin e Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.
Tenderi u vlerësua në dy faza, aspekti teknik dhe financiar. Para disa dite, Komuna e Prishtinës lejoi qasje në dokumentacionin që ka të bëjë me ofertën teknike të kompanive garuese.
Në bazë të dosjes së tenderit, kompania “ANARCH” nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara.
Në dokumentet e ofruara nga Komuna e Prishtinës shihet se kompania “ANARCH” ka ofruar një dokument, ku thotë se ka kryer 10 projekte, ashtu siç është cekur edhe në kërkesat prokuruese për këtë tender.
Pastaj në asnjë referencë nuk ceket shuma dhe as periudha, siç është obliguese me ligj dhe rregullat e KRPP-së.
Meqenëse është kërkuar që së paku dy projekte duhet të jenë të vlerës mbi 1.000.000,00 euro, në lëminë menaxheriale, kompania ka paraqitur tri projekte mbi këtë vlerë. Bëhet fjalë për “Projekt menaxhmenti i Kompleksit Afarist banesor ENK / Prishtina City Center”,
“Projekt menaxhmenti dhe analiza e leverdishmërisë i Qendra Kulturore Klan”, “Projekt menaxhmenti dhe analiza e leverdishmërisë i Klan KOSOVA TV studio”.
Bazuar mbi vetë kërkesat e komunës, por edhe të Ligjit të Prokurimit Publik, kontrata e parë nuk e përmbush kërkesën.
Kompania ka paraqitur se në këtë projekt ka bashkëpunuar edhe me disa të tjera, duke e shkruar edhe emrin e kompanisë së kryetarit Përparim Rama, “4M group”. Projekti decidivisht quhet “Projekt menaxhmenti i Kompleksit Afarist Banesor”. Kjo kontratë e paraqitur në këtë formë, si referencë, mund të jetë edhe konflikt i interesit, pasi është paraqitur një dokument si dëshmi që të pranohet nga Komuna e Prishtinës, projekt në të cilin ka qenë i involvuar vetë kryetari Përparim Rama.
Sipas ‘dosjes së tenderit’ kërkohen punime “TË PËRFUNDUARA” dhjetë vitet e fundit nga data e njoftimit të kontratës, të vërtetuara me certifikata për kryerjen ose përfundimin e kënaqshëm të projekteve. “ANEKS 4 LISTA E KONTRATAVE TE REALIZUARA” (Ky aneks është obligativ që të plotësohet dhe t’i bashkëngjiten certifikatat përkatëse ose ndonjë dokument tjetër që evidenton performimin e tillë).
Në dokumentet e ofruara nga Komuna e Prishtinës, nuk ka askund certifikata për kryerjen ose përfundimin e kënaqshëm të projekteve.
Kompania nuk ka ofruar kontrata me referencat përkatëse dhe certifikatën e përfundimit të punëve, sipas kërkesës që dëshmojnë natyrën e punës sipas dosjes së tenderit. Por, ka ofertuar referenca ku përshkrimi është për punë ndërtimore e individuale dhe jo menaxheriale.
“Projekt menaxhmenti dhe Analiza e Leverdishmerise i ZOE HORA Hotel and Spa”, nuk përmbush kriterin, pasi datë përfundimi është e shënuar “vazhdon”.
Pos dy kontratave, kërkesë për kualifikim ka qenë edhe “në lëminë e programimit – softuerit të ketë së paku një projekt në vlerë 200.000 EURO”. Nga dokumentet e ofruara, nuk shihet që kompania e rekomanduar për kontratë të ketë ofruar këtë dëshmi.
Para se të kualifikonte kompanitë për në rundin e dytë, komuna ka korrigjuar dosjen e tenderit dhe tre herë e ka ngarkuar një formular standard për korrigjimin e gabimeve të publikuara, si dhe e ka zgjatur vitin për kërkesën e punëve të kryera. Ka qenë: “Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi të kapaciteteve për kryerjen e punëve të përshkruara, nga të cilat në lëminë menaxheriale së paku 2 projekte të vlerës mbi 1.000.000,00 €, dhe në lëminë e programimit – softuerit të ketë së paku një projekt në vlerë 200.000 EUR, të kryer në periudhën paraprake në tri vitet e shkuara “ose “ në periudhën e shkuar trevjeçare“.
Ndërkohë më pas është bërë se periudha prej tre vjet është ndryshuar në 10 vjet.
Po të qëndronte kërkesa e parë, bazuar në referencat e paraqitura nga kompania fituese, shumë nga referencat do të binin poshtë pasi punët e paraqitura kanë qenë para periudhës trevjeçare.
01-Konsulence-Deklarata-dhe-Format-referuese-te-GOE (1)