Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka tërhequr një urdhër që autorizonte ngrirjen federale të qindra miliarda dollarëve në grante dhe hua.
Vendimi vjen pasi një gjykatës e pezulloi përkohësisht urdhrin të martën, në të njëjtën ditë kur ai duhej të hynte në fuqi, shkruan AP.
Urdhri ishte ndaluar deri të hënën e ardhshme, pas një padie të ngritur nga një grup organizatash që përfaqësojnë përfituesit e granteve.
Në një letër të datës 29 janar, thjesht thuhej: “Memorandumi M-25-13 i OMB-së është anuluar.”
Mbetet ende e paqartë se çfarë e ka nxitur kthesën e dukshme.
Sipas bbc, ushtruesi i detyrës së kreut të zyrës së buxhetit të Shtëpisë së Bardhë kishte udhëzuar agjencitë që “të ndalonin përkohësisht të gjitha aktivitetet që lidhen me detyrimet ose disbursimin e të gjithë ndihmës financiare federale”.
Zyra tha se masa kishte për qëllim t’i jepte kohë administratës së re për të vlerësuar se cilat grante dhe kredi ishin në përputhje me agjendën e tyre.
Por urdhri shkaktoi konfuzion të gjerë se cilat agjenci dhe programe do të ndikoheshin.