Një operacion policor i koduar “Starti”, i realizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, ka çuar në sekuestrimin e mbi 25 kg lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe në arrestimin e katër të dyshuarve ka njoftuar Policia e Kosovës.
Gjatë kontrolleve në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë policia sekuestroi 27 paketime të dyshuara si marihuanë me peshë mbi 25 kg, një veturë, dy pushkë, dy revole, shtatë fishekë të kalibrave të ndryshëm, gjashtë telefona celularë dhe një shumë prej 350 eurosh.
“Operacioni policor i koduar ‘Starti’, i zbatuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikeve Prishtinë, kanë goditur një grup kriminal trafikantësh, kanë arrestuar katër të dyshuar dhe kanë sekuestruar mbi 25 kg lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë dhe dëshmi tjera relevante për rastin.
‘Starti’, ka filluar me trajtimin e informatave, mbledhjen e dëshmive në teren dhe sot në koordinim më Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë realizuar katër kontrolle në lokacione të ndryshme në Prishtinë.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: 27 paketime, dyshohet të jetë marihuanë me peshë 25 kg 200 gr., një veturë, dy pushkë, dy revole, shtatë fishekë kalibrash të ndryshëm, gjashtë telefona celular dhe 350 euro. Dyshohet se lënda narkotike kishte qëllim tregun vendor. Policia ka arrestuar: B.M., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar), L.K., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar), M.K., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar) dhe F.H., (viti i lindjes 1991, mashkull kosovar).
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe ndaj tyre është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Të dyshuarit, me aktvendim nga prokurori dërgohen në mbajtje deri në 48 orë”, thuhet në njoftim.