Kandidati për Kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës së tij në Komunën e Klinës, u mirëprit nga një turmë e madhe e njerëzve teksa shpalosi programin me 5 miliardë euro investime të kësaj partie.
Abdixhiku falënderoi banorët e Klinës për mbështetjen e madhe duke thënë se “sonte ndjemë fuqinë e një populli që është ngritur në këmbë për ndryshim!”
“Sonte, në Klinën e traditës dhe krenarisë kombëtare, ndjemë fuqinë e një populli që është ngritur në këmbë për ndryshim! Sonte këtu, ku gjurmët e lashtësisë dardane ndërthuren me energjinë e njerëzve të ndershëm e punëtorë, Klina dëshmoi se është gati të prijë në kryengritjen e madhe të djathtë! Në një tubim plot emocion dhe përkushtim, qytetarët e Klinës na kujtuan se kur një popull bashkohet, asnjë sfidë nuk është e pamundur. Fryma e sotme, si një dritare që hapet drejt një dite të re, na mbush me besimin se 9 shkurti nuk është thjesht një datë – është momenti i një fillimi të ri për Republikën tonë. Ne nuk jemi këtu për të ndarë e përçarë, për të nxitur mllefe e urrejtje. Jemi këtu për të bashkuar, për të ofruar vizion dhe shpresë, për të ndërtuar një Kosovë të fortë, të drejtë dhe të barabartë.” , tha Abdixhiku mes tjerash.