Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka takuar komandantin e Brigadës Paqeruajtëse armene, kolonel Hamlet Levonyan në Shtabin e KFOR-it, në Camp Film City në Prishtinë.
KFOR në një njoftim tha se ata diskutuan pikëpamjet për tema të ndryshme, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, situatën e stabilitetit rajonal dhe “përpjekjet e KFOR-it në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.
Barduani uroi edhe kolonelin Levonyan për kontributin shumëvjeçar në KFOR dhe në stabilitetin rajonal.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, “në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.