Njëzetegjashtë vjet më parë bota mësoi emrin e Reçakut, fshatit të vogël që pak kush ia kishte dëgjuar emrin, një fshat gjsyëm malor ku u krye gjenocid nga forcat policore dhe ushtarake serbe, të cilat vranë 45 civilë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e të moshuar, të gjitha të dokumentuara, por ende Serbia e mohon masakrën e 15 janarit 1999 e cila shënoi kthesën e madhe për historinë e Kosovës.
26 vjet nga sot data 14 janar, forcat paramilitare serbe grumbulloheshin në stacionin policor të Shtimes për ekzekutimin dhe masakrimin e banorëve të fshatit Reçak, në aksionin e orës 06.00 të mëngjesit, duke hyrë në fshat më 06. 45 minuta, ta zbatonin urdhërin e Milloshevoçit përmes një tmerri masakrues, vrasje nga afërsia dhe përdorim thikash e sëpatash kundër 45 civilëve shqiptarë të Reçakut, në datën e 15 janarit të vitit 1999.
Serbia vazhdon ende ta mohojë masakrën e Reçakut që zyrtarisht nesër mbush 26 vjet, por bota e di se Vuçiq e ka quajtur “gënjeshtër të inskenuar”.
I pari që ka folur për masakrën e Reçakut ka qenë shefi i Misionit Verifikues në Kosovë (OSBE) Wiliam Walker, i cili tek i shihte me sytë e vet kufomat e masakruara të trupave të shqiptarëve të vrarë, e quajti para botës krimin serb në Reçak, krim kundër njerëzimit, për të cilën tashmë flasin raporte ndërkombëtare e burime arkivore, ndërsa për krimin dhe mohimin e tij ka folur profesori Selim Bezeraj i cili thotë:
Në politikën e Serbisë është gjithmonë praktikë që faktin ta mbulojnë me gënjeshtër
“Edhe Pashiqi që shumë më herët se Vuçiq kreu krime kundër shqiptarëve, ka mohuar krimet që kanë kryer serbët në Kosovë e Reçak. Kemi mohimin e krimeve edhe në Luftën e Dytë Botërore që bënë serbët në Kosovë. E mohojnë edhe Rankoviqi edhe Tito. Dhe natyrisht këta të fundit janë bashkëpjesëmarrës në krimet në Kosovë, për shkak se ata kanë qenë para 26 viteve pjesë e qeverisë kriminale të Millosheviqit dhe natyrisht që këta e mohojnë, por faktet janë tjera, argumentet janë tjera. Sepse pikërisht këta i kanë kryer të gjitha këto krime dhe këtë masakër të 15 janarit në Reçak. Në politikën e tyre të Serbisë është gjithmonë praktikë ajo që dëshirojnë që faktin ta mbulojnë me gënjeshtër, me falsifikim” dhe shton: “Ajo çfarë ndodhi në fshatin Reçak është kryer me plan të qartë nga Serbia.
“Masakra e Reçakut është një nga masakrat më të rënda që ka ndodhur nga regjimi i Serbisë në Kosovë. Kjo masakër është e kryer plotësisht mbi planet që ka pasur Serbia gjithmonë ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Historikisht është e dokumentuar që krimet që ka kryer Serbia janë me plane. Nuk janë aty për aty dhe edhe masakra e Reçakut është një nga ato që është kryer prej Serbisë…Shto këtu që aty kanë qenë të involvuar edhe pjesa intelektuale edhe pjesa fetare-religjioze sepse bekimin e këtyre krimeve e ka bërë kisha që është rast unik në botë që nuk ka ndodhë asnjëherë që të jetë diçka e tillë, sepse ata e involvojnë kishën si diçka nacionale”, deklaron ai.
Për masakrën e Reçakut, akoma nuk është dënuar askush në Hagë, edhe pse dihet se zingjiri komandues rrjedh nga Millosheviqi.
Nëse Haga nuk e ka dënuar askënd për masakrën e Reçakut, gjykatat e Kosovës duhet të ndjekin penalisht kriminelët e masakrës dhe të gjejnë metodë për të bërë dosjen e Reçakut./Telegram News