Ndonëse nuk është më zyrtarisht pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeshefi i Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, i cili ishte arrestuar në Bullgari në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore. po vazhdon të marrë pjesë në tubimet e kësaj partie.
Kryeshefi i KRU “Gjakova”, është parë në një tubim të kësaj partie më datën 5 janar në këtë qytet.
Në fotografinë e publikuara nga Vetëvendosje, në një qoshe të sallës në mesin e simpatizuesve të kësaj partie.
Krasniqi ishte arrestuar në më 19 shkurt 2024 në Bullgari.
Gjykata bullgare ka arsyetuar vendimin e saj për paraburgosjen e kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi.
Në vendim, Gjykata e Qarkut në Kruystendil ka njoftuar se ndaj Krasniqit ekziston një urdhërarrest evropian i lëshuar nga Italia në janar të këtij viti.
Sipas gjykatës bullgare, veprat e përshkruara gjithashtu cilësohen krime sipas Kodit Penal të Bullgarisë, për të cilat parashikohet dënimi me “burgim”.
Sipas Gjykatës, ai është akuzuar për tri vepra penale: lehtësimi i migrimit të jashtëligjshëm me bashkëpunim, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat.
“Duke pasur parasysh mungesën e vendbanimit dhe lidhjet e përhershme me Republikën e Bullgarisë, gjykata vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes së tij. Gjykata, për të siguruar mbarëvajtjen e procedurës aktuale të ekstradimit, për të kufizuar lëvizjen e tij, vlerësoi se duhet të marrë masën e paraburgimit deri në përfundimin e procedurës për dorëzimin e të kërkuarit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Qarkut Kryustendil.
Urdhërarresti ndërkombëtar ndaj tij është lëshuar në qytetin e Barit, në Itali, një muaj më parë, përkatësisht më datë 16 janar 2024.
Kryeshefi i KRU “Gjakova” dyshohej për tri vepra penale “lehtësimi i migrimit ilegal me bashkëpunim”, “përdorimi i dokumenteve false” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat”.
Atij, me kërkesë të Prokurorisë së Qarkut Kyustendil në Bullgari, një Gjykatë e Qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ishte caktuar masa e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Ital.
Dyshimet ishin se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova ishte implikuar në tri vepra të ndryshme penale.
Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asamblist.
Në prill të vitit të kaluar, Bordi i Drejtorëve të KRU “Gjakova” mori vendim për shfuqizimin e vendimit mbi pezullimin e marrëdhënies së punës së kryeshefit Hasan Krasniqi. Vendimi erdhi pas arrestimit të tij nga autoritetet bullgare në shkurt të këtij viti. Në një komunikatë për media, Bordi njoftoi se vendimi ishte marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur më 6 prill 2024, dhe Krasniqi u obligua të paraqitej në punë më 8 prill 2024.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë në vitin 2023 ngriti aktakuzë ndaj Hasan Krasniqit, kryeshef i KRU “Gjakova”, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Krasniqi mund të përballet me drejtësinë kosovare edhe për një tjetër rast, si drejtues i KRU “Gjakova”. Kjo pasi, pas publikimit të një hulumtimi nga Kallxo.com, i cili zbuloi se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka blerë një barkë/anije të vogël në vlerë 24,500 euro, e cila nuk arriti të përdorej pasi u sekuestrua nga Dogana dhe Policia e Kosovës, rasti do të trajtohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ndryshe, Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës, nga Bordi i ri i emëruar nga Qeveria e Kosovës ishte zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.