Lutfi Haziri, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kritikoi kryeministrin Albin Kurti për mungesën e qartësisë dhe respektit ndaj figurës historike të Ibrahim Rugovës, themeluesit të LDK-së dhe liderit historik të Kosovës.
Në një intervistë në emisionin “Frontal” në T7, Haziri komentoi vizitën e fundit të Kurtit në familjen e Rugovës, duke e quajtur një gjest të madh nga ana e familjes që i hapi dyert kryeministrit. Megjithatë, Haziri nuk kurseu kritikat, duke rikujtuar deklaratat e Kurtit në vitin 2006, gjatë ditës së varrimit të Rugovës, ku e kishte cilësuar atë “tradhtar të kombit” dhe kishte kërkuar që qytetarët të mos merrnin pjesë në ceremoninë mortore.
“Unë e shoh që kjo familje e ka zemrën e madhe dhe trashëgon ato vlera të pajtimit që Rugova i ka pasë si lider politik dhe si njeri, sepse unë ia kujtoj deklaratën Albin Kurtit në ditën e varrimit të Rugovës më 21 janar 2006: kualifikimi që po varroset një tradhtar i kombit. Dhe i ka ftuar njerëzit të mos marrin pjesë në ceremoninë e varrimit”, tha Haziri.
“Katër vjet janë të mjaftueshme me e pa qeverisjen. Qeverisja nuk është llaf, nuk është vetëm fjalë, nuk është vetëm deklarim. Qeverisje është veprim”, tha Haziri.