Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës do të zhvillojnë mbledhjen e dytë historike të përbashkët të tyre, këtë herë në Prishtinë, pas asaj të parë në Tiranë, të mbajtur simbolikisht më 27 nëntor 2022.
Lajmin tashmë e ka konfirmuar edhe vetë Kuvendi i Shqipërisë, duke nënvizuar se data e takimit do të jetë ajo e 20 dhjetorit.
Nga ana tjetër, një mesazh lidhur me këtë mbledhje e ka dhënë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali:
“Ky Kuvend i përbashkët vjen si nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare për realizimin e objektivave strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimet euro-atlantike të Kosovës, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimin, paqen e sigurinë në rajon e më gjerë”, shkruhet në një komunikatë zyrtare nga Kuvendi.
Sa i takon pjesëmarrjes janë ftuar te gjithë deputetët e legjislaturës së fundit shqiptare.
Megjithatë, pritet që të marrin pjesë vetëm rreth 70 deputetë nga Kosova dhe 60 nga Shqipëria.
Prania e dy kryeministrave, Edi Rama dhe Albin Kurti, është e pritshme, por ende e pakonfirmuar nga protokollet përkatëse.
Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërise mbledhjen e fundit së bashku e kishin mbajtur në vigjilje të festës së 28 nëntorit, të dielën e 27 nëntorit 2022.
Adresim gjatë mbledhjes mbajti kryetarja e atëhershme e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Pastaj mbledhja kishte vijuar me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa, nga një fjalë përshëndetëse kishin mbajtur edhe kryetarët e grupeve parlamentare kryesore nga Shqipëria dhe Kosova.