Ndeshja e mbetur të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Dritës përfundoi sot në stadiumin “Fadil Vokrri” pa fitues – 1:1, duke ashpërsuar akoma garën e ekipeve që synojnë pozitën e parë të tabelës.
Gjilanasit kaluan në epërsi në pjesën e parë përmes Arb Manaj në minutën e 39-të, me të cilin rezultat (0:1) përfunduan 45 minutat e para.
Kur pritej që ndeshja të përfundojë me fitoren e mysafirëve, skuadra vendëse nuk lejoi befasinë duke barazuar shifrat 1:1, me golin e Leotrim Kryeziut një minutë para përfundimit të kohës së rregullt.
Në tabelë prijnë Ballkani, Drita e Malisheva me nga 22 pikë, pasuar nga Prishtina e katërta me 20 pikë, tri më shumë se Suhareka në vendin e pestë. Në fund të tabelës renditet Feronikeli 74 me vetëm tri pikë të grumbulluara nga 12 xhiro.