Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka thënë se tarifat e energjisë elektrike kanë qenë në rritje eksponenciale që nga ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka akuzuar këtë parti për rritje të vazhdueshme të faturave.
“Në tri vitet e fundit, çmimi i rrymës në Kosovë është rritur mesatarisht 25.8%. Ndërkohë partia në pushtet prezanton shifra të pavërteta.
Që nga marrja e pushtetit në mars të vitit 2021, Qeveria e Vetëvendosjes ka rritur vazhdimisht tarifat e energjisë. Sipas Raportit Vjetor të ZRRE-së, nga viti 2020 deri më 2023 faturat e rrymës për biznese u rritën për 28.22% kurse për familjet 25.8%. Me tarifat aktuale të rrymës, familjet kosovare paguajne dyfish më shtrenjtë se para vitit 2021.
Rritja e çmimit erdhi si rezultat i keq-menaxhimit të KEK-ut, pasi Blloku A5 për 2 vjet nuk ka prodhuar rrymë dhe B1 ka dështuar si pasojë e mosmirëmbajtjes në vitin 2021 në kohën e krizës”, tha ai.
Azemi ka kërkuar përgjegjësi nga pushteti për dështimet në energji, që si pasojë ka edhe rritjen e çmimit të rrymës.
“Kjo qeveri duhet të japë përgjegjësi për dështimet në energji, që si pasojë ka edhe rritjen e çmimit të rrymës”, tha ai.