Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka hedhur akuza ndaj qeverisë kosovare duke i quajtur “të korruptuar” teksa ka folur për dëmet që kanë pësuar si ekzekutiv komunal nga ekzekutivi shtetëror nga kontratat kolektive, që, sipas tij, kapin shifra prej shtatë milionë eurove.
“Komuna e Drenasit ndër vite ka paguar një çmim të madh të kontratave kolektive. Vetëm këtë vit, deri në këtë moment 3 milionë e 89 mijë na i kanë marrë. E keqja është se ne po mbesim, po na i marrin ashtu ku më së shumti po na dhemb në investime kapitale. Nuk rrezikojmë ne sepse tashmë jemi në muajin e 11-të dhe muaji i 12-të, e ka obligim për pagat qeveria që t’i sistemoj”.
”Më 13 shtator e kemi mbajt një mbledhje të jashtëzakonshme të të hyrave vetanake, ku i kemi alokuar, i kemi marrë vendimet, i kemi dërguar në qeveri. Dhe qeveria na e ka kthyer pas 28 ditëve që i bie të premten, kur më nuk mundemi që t’i alokojmë ato mjete dhe që ato për t’u krijuar mundësia që të na llogariten që ne nuk e kemi shpenzuar buxhetin pastaj, kështu që na e ka kthyer, por nuk na vyejnë veç ishalla i merr kontrata kolektive”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
“Shuma e përgjithshme është mbi 7 milionë sepse përmendësh nuk e di me saktësi, por mbi 7 milionë euro”.
Ndër të tjera, Lladrovci foli edhe për Qeverinë Kurti duke hedhur kritika si një qeveri, sipas tij e papërvojë dhe e korruptuar.
“Qeveri e pa përvojë, qeveri e korruptuar, qeveri pa xhipa të bardhë, por krejt me xhipa të zinj”, u shpreh Lladrovci.