Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se fitimit i Trustit Pensional të Kosovës ka kapur shifrën 203 milionë euro për nëntë muajt e parë të këtij viti.
Ai me publikimin e këtyre shifrave i është kundërpërgjigjur një deklarate të mëhershme të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili kishte thënë se Trusti po pëson humbjen nga gjysmë milioni çdo ditë.
Murati ka thënë se kjo dëshmon “seriozitetin e analizave dhe projeksioneve të tyre”.
“Kthimi/fitimi i Trustit ka kapur shifrën 203 milionë euro për 9 muajt e parë të vitit 2024. Besoj u kujtohet parashikimi ogurzi që bënte Lumir Abdixhiku se si Trusti do të humbte nga gjysëm milionë euro në ditë. Kaq pra për seriozitetin e analizave e projeksioneve të tyre!”, ka thënë ai.
E ndaj kësaj ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Bajrami ka nxjerrë disa statistika përmes të cilave thotë se në javën e parë të gushtit mjetet në Trust kishin pasur ulje të fitimeve për rreth 60 milionë euro.
“Hekurani paska folë edhe për Trustin. Gjendja e mjeteve në Trust javën e parë të Gushtit, ulje e fitimeve për rreth 60 milionë Euro”, shkroi Bajrami.
Bajrami pak minuta më pas ka reaguar edhe një herë ndaj ministrit Murati.
Ajo e ka pyetur Muratin pse e ka shtyrë zbatimin e Ligjit për tatimin në pronë të bizneseve dhe zbatimin e e vendimit për pagën miniamle.
“Prej datës 16 shtator 14 gra janë në grevë, në oborr të Kuvendit të Republikës së Kosovës sepse paga e tyre është nën pagën minimale.”, ka shtuar Bajrami.