Gjuha denigruese e fyese e politikanëve ndaj njëri-tjetri është bërë e pothuajse e përditshme. Për analistët politikë, ky lloj komunikimi është intensifikuar me afrimin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, thotë se politikanët që përdorin gjuhë të dhunshme, nuk ndëshkohen. Madje, disa prej tyre fitojnë poenë në sytë e publikut. Ai thotë se si rrjedhojë e gjuhën së përdorur nga politikanët, ndikon edhe te militantët partiakë.
“…po të shikoni komentet e publikut, lexuesve në portale dhe rrjete sociale ato janë edhe shumë më brutale se sa vetë komunikimi i politikanëve por faji i politikanëve në këtë rast është se de-facto i nxisin këto grupe, fansa, militantë dhe pastaj bëhet një lloj kontaminimi i komunikimit, pra politikanët në të vërtetë jo vetëm që nuk penalizohen për gjuhën e dhunshme që përdorin, për gjuhën e urrejtjes që përdorin por në fakt disa prej tyre fitojnë të themi edhe poenë në sytë e publikut që gjoja të fortë, prandaj besoj që një hapje e debatit një edukim i qytetarëve që gjuha e urrejtjes, gjuha e dhunshme është e keqe, do të ndikonte që edhe ata pak ta zbusin këtë retorik të ashpër që përdorin dhe në këtë mënyrë të ketë komunikim që do të ishte më përmbajtjesorë në aspektin e transmetimit të ideve dhe platformës që kanë”, thotë Krasniqi.
Krasniqi theksoi se kjo gjuhë që po e përdorin politikanët është forma më e ulët e komunikimit, ndërsa thekson se kjo gjuhë po bëhet referencë për njerëzit që i votojnë. Krasniqi ka thënë se Kosova si shtet në tranzicion, shpeshherë urrejtja transmetohet në komunikim me të tjerët.
“Kjo është forma më e ulët e komunikimit dhe është një formë jo vetëm jo-etike por është përnjëmend e pahijshme aq më tepër që politikanët janë referenca, njerëzit i votojnë, i zgjedhin pse ju besojnë që mund të shtyjnë përpara disa ide, disa projekte, ndërsa ata këtë lloj emocionaliteti e keqpërdorin. E vërteta tjetër është që jemi një shoqëri që kemi dal nga një traumë e madhe e luftës shumë njerëz kanë qenë të traumatizuar, bartin kujtime të rënda dhe kanë një lloj urrejtjeje që është e shtresuar në shpirtin, mendjen e tyre dhe ata mezi presin që këtë lloj, këtë lloj traume ta manifestojnë në komunikim me të tjerët, meqë nuk munden ndaj atyre që ua kanë bërë zullumin, pra ndaj Serbisë andaj e projektojnë tjetrin kundërshtarin politik si armik”, u shpreh Krasniqi.
Ndërsa analisti politik, Gazmir Raci, kërkon që partitë politike të kenë kod të mirësjelljes dhe një zotim në prag të zgjedhjeve parlamentare në mënyrë që “të eliminohet gjuha e urrejtjes”.
“Tash pasi që po hyjmë në fushatë është mirë që të ketë një kod etik, një kod të mirësjelljes në mes të partive politike sepse në këto zgjedhje ne po hymë edhe me sfida të reja sa i përket teknologjisë së informacionit e sidomos inteligjencës artificiale e cila është zhvilluar shumë hovshëm e që për Kosovën nuk di se si do të menaxhohet në të ardhmen kjo çështje edhe mund të keqpërdoret shumë teknologjia e informacionit ‘AI’, dhe do të duhej që partitë politike të paktën të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët para fushate që të pajtohen në disa parime të cilat do duhej të respektohen sidomos mirësjellja, debati konstruktiv, të eliminohet gjuha e urrejtjes edhe gjuha që mund të dërgoj palët në ngritje të tensioneve”, thotë Raci.
Raci po ashtu thekson se problematikë tjetër e partive politike është edhe shfrytëzimi i inteligjencës artificiale dhe rrjetet tjera sociale. Sfidë e sheh edhe luftimin e kësaj dukurie nga institucioni ndjekës.
“Pothuajse të gjitha partitë politike janë duke e shfrytëzuar shumë inteligjencën artificiale, teknologjinë informative, Facebook e po ashtu edhe rrjetet tjera sociale përmes llogarive ‘fake’. Kemi pa tash që edhe partitë opozitare i kanë rrok shumë kësaj pjese në llogari ‘fake’ duke menduar që kanë rezultate, unë mendoj që është humbje kohe, humbje financave, shumë më mirë do duhej tek elektorati, tek problemet e përditshme, tek diskutimet e qytetarëve përmes grupeve të caktuara e jo në rrjete sociale”.
“Nuk është e dobishme sepse mund të kaloj në telashe të mëdha e tash unë këtu e shoh sfidë për organet tona të drejtësisë, të cilët do të monitorojnë zgjedhjet, sidomos Prokuroria e Shtetit që duhet sa më shpejt me adresua këtë çështje me përdorimin e teknologjisë së informacionit e sidomos inteligjencës artificiale që shumë po flitet që mund të keqpërdoret në fushatën e ardhshme elektorale”, u shpreh Raci. /EO