Kryediplomatja Donika Gërvalla ka pritur sot në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Siç njofton MPJD, Gërvalla e uroi Ambasadorin Orav për detyrën e re, duke theksuar përforcimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, veçanërisht në kontekstin e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendit tonë.
Gërvalla i ka nënvizuar “përparimin e jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në demokratizim, sundimi të ligjit, luftim të korrupsionit, avancim të lirisë së mediave dhe të drejtave qytetare, duke treguar qartë përkushtimin e plotë të vendit për të përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Ajo gjithasht i ka thënë se Kosova pret trajtimin me urgjencë të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE “si hap thelbësor për të ardhmen europiane të vendit dhe të gjithë rajonit”.
Gjithashtu u diskutua për situatën aktuale në veri dhe përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, tha Ministria.